Berisha: Reformimi i shërbimit, jetik për konsolidimin e drejtësisë
Mblidhet Kongresi i Parë i Noterëve të Shqipërisë
“Gjatë këtij viti, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismat ligjore për të transferuar tek ju një seri përgjegjësish, të cilat më parë ishin në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe institucioneve të tjera. Ju garantoj se ne do të ecim dora-dorës drejt shndërrimit të këtij shërbimi në një shërbim të agjent tatimor, në mënyrë që t’u ofrohen shërbimet më të shpejta qytetarëve shqiptarë”
“Lufta ndaj larjes së parave të pista është një luftë për siguri dhe noterët shqiptarë mund të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në Kongresin e Noterëve shqiptarë, i cili theksoi se “noteria është një shërbim jetik për shtetin ligjor dhe dixhitalizimi i sistemit të noterisë rrit besimin e qytetarëve”.
Sipas kryeministrit, lufta kundër larjes së parave të pista është një luftë për sigurinë e cila është më e para për çdo qytetar.
“Shërbimi juaj është shërbim besimi. Çdo ditë ju, në zyrat tuaja, firmosni ligje, se në fakt aktet tuaja janë ligje për palët dhe janë ligjet që prekin më shumë palët, nëse përdorim një shprehje, në lëkurën e shpirtin e tyre. Asgjë më të rëndësishme për paqen e brendshme të njeriut, por edhe për paqen sociale në tërësi, për funksionimin e ekonomisë dhe shtetit ligjor nuk ka si aktet tuaja të përditshme. Në veprimtarinë tuaj, por jo vetëm, në veprimtarinë e çdo qelize të shtetit, për ta nxjerrë atë nga labirintet, për ta mbrojtur atë, sot ka në mekanizëm themelor dhe kjo është transparenca. Ajo është jetike për veprimtarinë e çdo zyrtari, kryeministrit, presidentit, ministrit, noterit, gjykatësit, avokatit dhe të gjithsecilit prej tyre që duan të punojnë pa pasur frikë nga puna e tyre dhe krenarë për punën që bëjnë. Shërbimi juaj ka një rëndësi jetike në luftën kudër formës më të egër të krimit të sotëm, krimit financiar, larjes së parave. Çfarë tregojnë të gjitha vëzhgimet e analizat e lidhura me terrorizmin, si kërcënimi më direkt për shoqërinë e sotme. Terrorizmi ka një mekanizëm, pa të cilin nuk mund të ekzistojë dhe ky mekanizëm është larja e parave. Kontributi juaj në këtë fushë është jetik, vendimtar. Unë ju shpreh vlerësimin tim, sepse agjencitë respektive më kanë informuar se ato kanë një bashkëpunim plotësisht të besueshëm dhe që e vlerësojnë lart, me zyrat tuaja. Lufta kundër larjes së parave të pista është një luftë për sigurinë dhe siguria është më e para për çdo qytetar, çdo vend e shoqëri. Por lufta kundër larjes së parave të pista është gjithashtu jetike për tregun e lirë. Unë ju garantoj se nuk ka rrugë më të sigurt për të parandaluar krizat ekonomike, nuk ka rrugë më të sigurt për të shpejtuar zhvillimin e prosperitetin, sesa përpjekja e tërë e një shteti, e një shoqërie dhe gjithë elementëve të saj për garantimin e lirisë së tregut. Dhe ajo në themel ka konkurrencën e lirë. Edhe në këtë kontekst, ju me zyrat tuaja keni mundësi të madhe të kontribuoni në një sektor nevralgjik të shoqërisë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri vlerësoi se, “gjatë këtij viti, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismat ligjore për të transferuar tek ju një seri përgjegjësish, të cilat më parë ishin në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe institucioneve të tjera. Ju garantoj se ne do të ecim dora-dorës drejt shndërrimit të këtij shërbimi në një shërbim të agjent tatimor, në mënyrë që t’u ofrohen shërbimet më të shpejta qytetarëve shqiptarë”.
Kryeministri ka garantuar noterët se qeveria shqiptare do të japë të gjithë mbështetën e duhur për të përmirësuar dhe reformuar këtë shërbim jetik për konsolidimin e drejtësisë shqiptare.
“Unë gjithashtu dua t’ju garantoj se qeveria shqiptare ka besim të madh tek ju, vlerëson rolin tuaj themelor dhe do të bëjë gjithçka për një bashkëpunim të frytshëm që ju të shndërroheni në një nga shërbimet më moderne në Shqipëri e në Europë. Unë ju përshëndes për gatishmërinë që treguat në procesin e dixhitalizimit të veprimtarisë suaj. Ju garantoj se kjo do të rrisë shumë më tej besimin e qytetarëve tek ju dhe rolin tuaj. Në këtë sistem, Ministria e Drejtësisë ka transferuar tek ju njëkohësisht një seri funksionesh të tjera, për të cilat ju jeni plotësisht të aftë t’i përmbushni e natyrisht, të realizoni të ardhurat që meritoni. Uroj që në këtë rrugë edhe shërbimet e tjera të frymëzohen”, tha ai.