E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Forcimi i pozicionit të noterëve, element kyç në sektorin ligjor”

05-05-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth

Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha ishte edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i cili tha se pozicioni i noterëve është një element kyç në konsolidimin e shtetit të së drejtës. Wollfarth veçoi se puna e noterit redukton pasigurinë dhe kostot si dhe kontribuon në reduktimin e mosmarrëveshjeve post-kontraktuale dhe kështu edhe në nevojën për t’iu drejtuar rrugëve ligjore në gjykata.
“Forcimi i pozicionit të noterëve, si një element kyç në sektorin ligjor, është një nga qëllimet strategjike të Prezencës së OSBE-së në ndihmën për autoritete kombëtare për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Në fakt, Prezenca e OSBE-së është përfshirë në mënyrë aktive në reformën e legjislacionit për noterët. Në vitin 2008, ne ishim pjesë e Grupit të Punës udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, ku bëmë komente me shkrim për hartimin e legjislacionit. Prezenca e OSBE-së beson se noterët duhet të luajnë një rol vendimtar në sektorin ligjor, një rol i reflektuar edhe në statusin e pavarur që gëzon ky profesion”, u shpreh Wollfarth.
Ai vlerësoi si inkurajuese reformat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për përforcimin e kompetencave të zyrave noteriale në lidhje me shërbimet e ofruara nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
“Reformat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për përforcimin e kompetencave të zyrave noteriale në lidhje me shërbimet e ofruara nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, janë inkurajuese. E megjithatë, roli i noterëve meriton të zhvillohet më tej, pasi ka fusha të tjera, ku noterët mund të luajnë dhe unë besoj se duhet të luajnë një rol të konsiderueshëm”, theksoi ambasadori Wollfarth.
Ai tha më tej se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreson të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Dhomën Kombëtare të Noterëve dhe Ministrinë e Drejtësisë në përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit për noterët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›