E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Regjistrimi, akt madhor i Shqipërisë së realitetit të ri - kundërshtarët mjeranë janë ende me matematikën e Ramizit

19-08-2011 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit vlerëson procesin e regjistrimit të popullsisë si një realitet modern të Shqipërisë së vitit 2011, i cili realizohet mbi bazën e një dokumentacioni të teknologjisë më të lartë, të kartave të identitetit si dhe të sistemit të adresave. Berisha kritikoi ashpër kundërshtarët e procesit, duke i akuzuar ata se kanë fobi ndaj deklarimit që do i bëjnë shqiptarët pasurive të tyre të paluajtshme të arritura në 20 vitet e pluralizmit dhe ekonomisë së tregut

Pollo: Censusi është statistikor - sharlatanët krijojnë zhurmnajë të panevojshme

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë kryeministri Sali Berisha iu referua procesit të regjistrimit të popullsisë, i cili pritet të nisë duke filluar nga 1 tetori. Sipas kryeministrit, censusi 2011, është një arritje madhore për vendin, pasi për herë të parë regjistrimi do të kryhet në bazë të një dokumentacioni të teknologjisë më të lartë, të kartave të identitetit, të adresave. Berisha tha se Shqipëria sot i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe qytetarët përmes deklarimit të tyre, do krijojnë shtresën e mesme të shoqërisë shqiptare”. “Ky census do të jetë censusi për Shqipërinë e shqiptarët e dekadës së dytë të shekullit të 21-të. Ky është regjistrimi i parë që bëhet në një vend, i cili nuk është kurrë më ai që ishte 10 apo 20 vite më parë, është regjistrimi i parë që bëhet në një vend, i cili sot i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe që ka bërë ngjitjen më të shpejtë se çdo vend tjetër, është regjistrimi i parë që bëhet në një vend, ku më me shpejtësi se kudo është krijuar e po krijohet një klasë e mesme, po krijohet e mesmja e shoqërisë shqiptare. Natyrisht, ka të varfër, por askund nuk janë pakësuar më shpejt, se në këtë vend. Vitin që vjen, pas regjistrit dixhital të familjeve në ndihmë ekonomike, do t’i qëndrojmë zotimit tonë për të zhdukur mjerimin apo varfërinë ekstreme që ekziston ende, probalisht në 10-15 mijë familje shqiptare”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë përmendi edhe komentet që bëhen kundër këtij akti, duke i konsideruar ato si shprehje të një primitivizmi njerëzor të shkallës më të lartë. Sipas kryeministrit, regjistrimin e popullsisë e kundërshtojnë sharlatanët dhe mjeranët të cilët sikundër u shpreh kryeministri vazhdojnë me matematikën e Ramiz Alisë. “Sharlatanë të vërtetë, mjeranë politikë, haxhiqamilër me njëqind flamuj duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre, sepse për shkak të mandateve që u bien, besojnë se në këtë mënyrë do të mund të kacavirren në kurriz të tyre. Unë e kuptoj që mund të kundërshtosh Kryeministrin shqiptar dhe madje, kur vuan nga sindromi obsesiv i vdekjes dhe ta shpallësh atë të vdekur çdo ditë, për  të ngushëlluar veten tënde, unë e kuptoj të kundërshtosh projekte të dhëna të qeverisë, por nuk kuptoj kurrë si mund të kundërshtosh regjistrimin e qenies tënde biologjike, sociale dhe ekonomike. Çfarë karakteri ka këtu? Ky është një interes madhor kombëtar, sepse në regjistrat dhe në database e këtij vendi duhet të ekzistojë realiteti shqiptar i vitit 2011. Ky realitet, natyrisht, është i kundërt me atë që e nxijnë çdo ditë, kollagjerë dhe çakej që shfrytëzojnë lirinë për qëndrime nga më absurdet. E kundërshtojnë këtë, sepse ky regjistrim do të nxjerrë të gjitha pasuritë e patundshme që krijuan shqiptarët, duke derdhur lumenj djerse në këto 20 vite, e kundërshtojnë se ky regjistrim do të nxjerrë të gjithë nivelin e ri që kanë kapur shqiptarët, në përpjekjet e tyre mbinjerëzore. Këta lotderdhës hipokritë nuk kanë asgjë kombëtare. Këta duan që të tjerët t’i tregojnë me gisht shqiptarët, siç i kanë treguar në 45 vite, si strehë e mjerimit të Europës, në një kohë kur shqiptarët po ndërtojnë një realitet të ri, një të ardhme tjetër. Po të dëgjosh këta kollagjerë në Shqipëri, turizmi trefishohet, por të ardhurat bien brenda tre viteve. Këta vazhdojnë me matematikën e Ramiz Alisë”- deklaroi kryeministri. Ai tha gjithashtu se “ky regjistrim nuk pëlqehet, sepse realiteti shqiptar pozitiv, i krijuar masivisht nga shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, por në interesat e tyre më fisnike, i përvëlon dhe i djeg dhe më pas thonë se nuk kemi përse të deklarojmë fenë dhe origjinën etnike”. Sipas shefit të ekzekutivit, kundërshtarët e procesit, faqezinjtë dhe apatridët, janë të shqetësuar për mandat-këputjet, pasi siç tha ai shqiptarët kanë identitetin e tyre etnik dhe besimin fetar. “Ne të gjithë jemi krenarë me besimin tonë fetar e origjinën tonë etnike. E vetmja gjë që qëndron se ky grup apatridësh - sepse këta që vishen faqezi janë apatridë - nuk kanë asnjë preokupim tjetër, vetëm mandat-këputjet e tyre, çka tregon se i kanë pasur tërësisht të pamerituara, të turpshme dhe nxjerrin nga labirintet e skëterrës psikologjike të njeriut formulime e dokrra, për të intimiduar pakicat. Ata duan t’i bëjnë shqiptarët të ndruhen nga besimet e njëri-tjetrit, respekti, bashkëjetesa e toleranca ndaj të cilave përbën edhe virtytin më madhështor të shpirtit shqiptar. Ndaj shpreh kënaqësinë time për ecurinë e këtij procesi që do t’u faktojë shqiptarëve dhe botës  se vendi i tyre është një vend tjetër”- theksoi më tej kryeministri Sali Berisha.
Vendimi i Qeverisë, 78 milionë lekë shtesë për “Censusin 2011”/Këshilli i Ministrave mori dje vendimin për miratimin e një shtese fondi në buxhetin e vitit 2011, miratuar për institutin e statistikave, për organizimin dhe zbatimin e projektit të Censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave si dhe lejimin e shtyrjes së afatit të kryerjes së procedurave të prokurimit. Duke prezantuar këtë vendin si një ndër çështjet e rëndësishme të rendit të ditës së mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha tha se Censusi i popullsisë dhe banesave do të kryhet mbi bazën e një dokumentacioni të teknologjisë më të lartë, të kartave të identitetit dhe të adresave. Vendimi i qeverisë bëhet në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, të nenit 75, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin Publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8669, datë 26.10.2000, “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Këshilli i Ministrave.

Pollo: Censusi është statistikor - sharlatanët krijojnë zhurmnajë të panevojshme

Kryetari i Komisionit kombëtar për Regjistrimin e Popullsisë “Censusi 2011”, Genc Pollo, thotë se janë të pabaza pretendimet e ngritura nga disa eksponentë qartësisht me prapavijë politike, lidhur me deklarimet e qytetarëve për kombësinë dhe fenë. Pollo thotë se ligji mbi të cilin bazohet censusi i këtij viti nuk është i ndryshëm nga ai i vitit 2001, veçse i janë bërë amendime përkatëse, sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian. “Baza e ligjit është ai i vitit 2001, ndërsa i janë bërë amendime përkatëse. Regjistrimi do jetë një numërim statistikor, pra censusi është statistikor. Çështja thelbësore e Censusit është përgatitja e një baze të dhënash për standardin ekonomik të shqiptarëve, të ardhurat e tyre si dhe verifikimin e nivelit ekonomik në secilin rajon të vendit”- shprehet Pollo. Lidhur me deklarimin e përkatësisë etnike dhe fetare, Pollo tha se qytetarët shqiptarë të cilët e ndjejnë veten shqiptarë e deklarojnë atë pa droje. “Për çështjen e përkatësisë etnike unë mendoj se nëse një njeri ndjehet shqiptar e thotë atë pa ndrojë. Presionet nuk mendoj se do të ndikojnë për deklarim artificial. Ne kemi bërë census në 1923, kemi bërë në 1930. Pra nuk është ndonjë gjë e re. Shqipëria është një vend pa probleme etnike, por ka vende në Evropën Qendrore dhe në ish-Jugosllavi. Ndryshe nga Shqipëria, kishin shqetësime, probleme, por të gjithë nuk kanë hezituar të pyesin për përkatësinë etnike. Kjo gjë është kërkuar nga BE për të gjitha vendet, jo vetëm për Shqipërinë. Çdo vend që është anëtarësuar në BE ka bërë një census”- tha Pollo. Ndërsa thekson se deklarimet e rreme, kryesisht për përkatësinë etnike, do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi. “Unë nuk mendoj se ka shqiptarë që duan të lëshojnë kombësinë për 30 grosh. Duke e menduar pak më gjatë, më duhet të them se nuk ka ndonjë motiv të spikatur për të deklaruar në mënyrë të dyshimtë përkatësinë etnike. Ka një vit e gjysmë që grupet e interesit në mënyrë periodike janë thërritur për të diskutuar lidhur e pyetësorin. Një pjesë e mirë e konsultimeve kanë shërbyer për hartimin e censusit. Është një proces i konsumuar dhe shumë i dobishëm. Kush nuk do ta kuptojë, normalisht që zgjedh një ekran dhe fillon e akuzon për tradhti etj, etj. Kanë bërë zhurmë, është e vërtetë, por nga debati i muajve të fundit nuk lë pa vënë një shenjë, një marzh të tolerancës që ka shoqëria shqiptare. Kemi një aset të jashtëzakonshëm që është mirëkuptimi i brendshëm, që nuk gjendet në vendet e tjera. Një lëvizje e tillë zhurmnaje, është e panevojshme”- deklaroi më tej Pollo.
Procesi i regjistrimit të popullsisë nis më 1 tetor, dhe parashikohet të përfundojë brenda 3 javëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›