E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta kundër korrupsionit, kusht vendimtar për suksesin e reformave - suksesi i ekonomisë shqiptare është i pranuar botërisht

19-08-2011 / Gazeta 55

Bashkia e Tiranës: “One stop shop” për lejet e ndërtimit – të çrrënjoset praktika e korrupsionit

“Lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e transparencës në themel të çdo praktike e procedure është kusht vendimtar për suksesin e çdo reforme”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi dhe njëherë se Shqipëria do vazhdojë kursin e saj reformator, duke luftuar në çdo qelizë fenomenin e korrupsionit. Në funksion të garantimit të transparencës maksimale dhe luftës antikorrupsion, Berisha kërkoi shqyrtimin e të gjitha procedurave administrative me qëllim kalimin e tyre në procedura dixhitale, shqyrtimin e kalimit të lejeve dhe licencave të mbetura në “One stop shop”-in për lejet e licencat. “Transparenca dhe përpjekjet kundër korrupsionit, - theksoi Kryeministri - kanë bërë që modeli ekonomik i vendit të funksionojë në shkallë të tillë që, në rast se në botë, investimet e huaja direkte ranë nga viti 2007 në vitin 2010 me 37 përqind, në Shqipëri, ato u rritën 300 përqind, nga viti 2006 në vitin 2010, që të dyfishojmë të ardhurat, në një hark kohor katëvjeçar, duke përgjysmuar taksat, të rrisim nga viti 2006 e gjer më sot, me 120 përqind rrogat e sektorëve kryesorë të ekonomisë, pensionet dhe biznesi shqiptar, të trefishojë eksportet në 6 vite. Kryeministri e cilësoi korrupsionin një të keqe me bazë gjenetike, siç është lakmia e njeriut. Vështirësia e ndarjes të lakmive të tepërta bëjnë që individi të shkasë, ndaj, - theksoi Kryeministri - është detyra e institucioneve shtetërore, e ligjeve dhe praktikave që ta mbrojnë atë, për të mos rënë në korrupsion. Në këtë qëllim, konsolidimin e luftës kundër korrupsionit dhe transparencës si parim themelor e  kusht vendimtar për suksesin e çdo reforme, Kryeministri i vlerësoi një betejë të pandërprerë. “Lufta kundër korrupsionit është dhe do të mbetet parimi më themelor, është dhe do të mbetet reforma e të gjitha reformave të këtij vendi, pasi kjo luftë është kusht vendimtar për suksesin e çdo reforme. Kjo është një betejë e pandërprerë. Historia e korrupsionit është histori ndër më të dhimbshmet. Korrupsioni përbën një abuzues madhor të lirive dhe të drejtave të qytetarëve të çdo vendi, ku ai shfaqet. Ai krijoi tek shqiptaret, në skemat piramidale, tronditjet më të mëdha shoqërore të tyre, krijoi në botë, në krizën e fundit, një nga tronditjet më të mëdha që nga vitet ‘30 gjer sot. Korrupsioni, fatkeqësisht, ka bazë gjenetike, në sensin që njeriu është lakmitar dhe kufijtë e lakmisë së tij ose vështirësia e ndarjes të lakmive të tepërta bëjnë që individi të shkasë, ndaj është detyra e institucioneve shtetërore, e ligjeve dhe praktikave që ta mbrojnë atë, për të mos rënë në korrupsion. Një mik i imi, i cili shërbeu për disa vite si diplomat kryesor në Vjenë për vendin e tij dhe një avokat shumë i shquar, gjatë një bisedë më thotë se në karrierën e avokatisë kishte pasur shumë klientë që kishin vjedhur një bilion, por asnjë prej tyre nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë për të vjedhur 1 bilion tjetër. E dhashë këtë shembull për të kuptuar se ne kemi bërë një punë shumë të madhe për transparencën në çdo gjë, në të gjitha praktikat, por duhet ta vazhdojmë këtë betejë në mënyrë të pareshtur, çdo orë, çdo minutë, çdo ditë. Unë ju garantoj se themeli i suksesit të modelit ekonomik në Shqipëri, që tashmë është një sukses i pranuar universalisht dhe vetëm një javë më parë, shkolla botërore e biznesit deklaroi se dy janë ekonomitë më stabël të Europës, ku ndër ekonomitë e mëdha është ekonomia gjermane dhe në ekonomitë e vogla, ajo shqiptare, është para së gjithash e mbi të gjitha, rezultat i luftës kundër korrupsionit. Kjo, jo se në këtë rast nuk është një tërësi e gjerë reformash, por ato pa luftën kundër korrupsionit do të kishin mbetur reforma në letër, të vdekura”- u shpreh Berisha. Ai tha se Shqipëria ka vendosur standardet më transparente dhe u shndërrua në vendin e parë në Europë e në botë me prokurim njëqind përqind elektronik dhe në një seri procedurash të tjera. Por tha Berisha, ne duhet të bëjmë që çdo procedurë të jetë transparente, në mënyrë që reformat tona të kenë sukses të plotë. “Reformat janë ‘perpetua mobile’. Por nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë të dhënë një herë  e përgjithmonë. E tillë, kjo nuk ekziston. Një gjë është kryesore, vazhdimi pandërprerë i reformave. Ndaj, duke vendosur transparencën si qëllimin më themelor të veprimtarisë sonë, ne realizojmë suksesin e të gjitha reformave. Transparenca është rrezja e diellit që godet, vret, dizinfekton, zhduk të gjitha viruset e korrupsionit dhe të paudhësive. Është kjo që ka bërë që Shqipëria apo modeli i saj ekonomik të funksionojë në shkallë të atillë, aq sa, në rast se në botë, investimet e huaja direkte ranë nga viti 2007 në vitin 2010 me 37 përqind, në Shqipëri, ato u rritën 300 përqind, nga viti 2006 në vitin 2010. Është kjo luftë dhe kjo përpjekje që qëndorn në themel të suksesit të biznesit shqiptar, i cili në 6 vite ka trefishuar eksportet. Është kjo luftë e kjo përpjekje që ka bërë që Shqipëria të jetë ndofta vendi i vetëm në botë, e sigurtë në Europë, që të dyfishojë të ardhurat, në një hark kohor katëvjeçar, duke përgjysmuar taksat. Është kjo luftë e kjo përpjekje që ka bërë të mundur suksesin e reformave, me të cilat ne rritëm nga viti 2006 e gjer më sot, me 120 përqind rrogat e sektorëve kryesorë të ekonomisë, pensionet etj”- tha kryeministri në mbledhjen javore të Qeverisë.

Bashkia e Tiranës: “One stop shop” për lejet e ndërtimit – të çrrënjoset praktika e korrupsionit 

Kryeministri Sali Berisha tha dje se bashkia e Tiranës po shqyrton mundësinë e krijimit të “One stop shop” për lejet e ndërtimit. Sipas kryeministrit, praktika e trashëguar nga administrata paraardhëse, është një abuzim i tmerrshëm. “Lejet e ndërtimit ishin shndërruar në një mjet të tmerrshëm në këtë bashki dhe e kishin renditur atë në vendin e 173-të në botë, por që rrezatonte ndjeshëm në të gjithë vendin”- tha Berisha. Ai kërkoi nga anëtarët e kabinetit që të gjitha procedurat e mundshme të shndërrohen në procedura dixhitale. “Shndërrimi i burokracisë sonë në procedura dixhitale është rruga më e sigurt, për të garantuar transparencë maksimale. Kjo qeveri është dhe do të mbetet qeveri e transparencës së plotë në të gjitha procedurat, tendera, koncesione, privatizime, zgjedhje e çdo gjë tjetër”- tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›