Zgjedhjet e 8 majit, më të mira se ato të 2009-s, ODIHR-i rekomandoi ndryshimet në Kodin Elektoral

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Holtkemper
Ambasadorja gjermane në Tiranë Carole Muller-Holtkemper ka komentuar raportin e OSBE/ODIHR-it, duke theksuar se palët duhet ta lexojnë me vëmendje si dhe të zbatojnë me përpikmëri rekomandimet e ndërkombëtarëve. Sipas saj, palët politike duhet të lexojnë me kujdes opinionet dhe sugjerimet e OSBE/ODIHR, pasi mbeten një bazë e sigurtë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Raporti ODHIR na sjell një panoramë realiste të ngjarjeve përpara, gjatë dhe në fund të procesit zgjedhor. Dua të theksoj se është shumë i detajuar dhe do të rekamondoja që gjithsecili ta lexojë me vëmendje nga fillimi deri në fund veçanërisht rekomandimet” - thotë ambasadorja gjermane. Ajo vlerëson procesin zgjedhor të 8 majit si plotësisht korrekt. Sipas saj, Shqipëria ka hedhur një hap pozitiv krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. “Këto zgjedhje lokale ishin më të mira se ato të shkuarat, por akoma jo nuk përmbushin të gjitha kërkesat të vendosura në bencmarkun që kemi në OSBE gjithashtu Këshillin e Europës dhe çfarë ne prisnim për integrimin europian. Mendoj se shqiptarët janë në rrugë të mbarë dhe e kanë shansin që të ndjekin rekomandimet për të arritur standarde të larta”- shprehet më tej, ambasadorja gjermane në Tiranë, Carole Muller-Holtkemper.
Juristët: Votat në kutinë e gabuar, Kodi Zgjedhor t’i parashikojë të vlefshme/Juristë dhe ekspertë të çështjeve zgjedhore shprehen se tryeza e partive politike për reformën zgjedhore, e cila pritet të mblidhet me nisjen e sesionit të ri parlamentar, në fillim të muajit shtator, duhet të rekuperojë defektet në Kod. Një nga problemet e spikatura gjatë procesit të fundit zgjedhor, ishin votat e hedhura në kutinë e gabuar, të cilat Kodi Zgjedhor nuk i cilësonte të pavlefshme, por as nuk jepte një trajtim të veçantë ligjor. Shumë shpejt u kuptua se kishim të bënim me një vakum ligjor në Kodin Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor arriti të plotësojë doktrinën elektorale dhe njëherazi t’i kujtojë klasës politike se ndryshimi i ligjit është një domosdoshmëri e pashmangshme. Të këtij mendimi shprehen edhe juristët si dhe ekspertët e çështjeve zgjedhore, të cilët duke marrë shkas nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR, rikujtojnë se Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë në nenet e tij, votat e hedhura në kutitë e gabuara.