E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rivlerësimi i vlerës së tokës, nga qeveria, jo nga bashkitë

Kryeministri Berisha vazhdon të këmbëngulë për rivlerësimin e vlerës së tokës sipas çmimeve të tregut. Çmimet e reja do të përcaktohen nga dy ministrat e kabinetit "Berisha", duke i hequr në këtë mënyrë të drejtën për të përcaktuar çmimet sipas vlerës së tokës, bashkive dhe komunave. Ministrat Bode dhe Alibeaj do të përcaktojnë çmimet e reja. Këta anëtarë do të dorëzojnë javën e ardhshme në zyrën e Kryeministrit ofertat për të nisur më pas diskutimin. Tirana dhe Durrësi do të jenë zonat më të prekura nga ndryshimet rrënjësore.

Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë, pranë zyrës së AKKP-së, dokumentacionin e nevojshëm. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave të bëjnë rivlerësimin e vlerës së tokës, duke u bazuar në vlerën e tregut dhe jo në formula apo përcaktime të kryetarëve të komunave. Kjo, u shpreh Kryeministri, do të shmangte abuzimet në vlerësimin e tokës. "Zoti ministër i Drejtësisë dhe i Financave, është bërë emergjente vendosja e praktikës së vlerësimit të tokës sipas tregut dhe jo sipas formulave absurde e kryetarëve të komunave", tha Berisha, duke i hequr në këtë mënyrë të drejtën e përcaktimit të vlerës së tokës bashkive. "Në qoftë se toka kushton 10 euro, sipas formulës, ajo shkon 150 euro", tha ai. Qeveria është e vendosur të ulë çmimet e tokës, në ato zona ku çmimet janë rritur në mënyrë artificiale. Kryeministri Berisha kërkoi të punohet në mënyrë të përshpejtuar për të bërë të mundur dorëzimin sa më shpejt të propozimeve për ndryshimet në ligj. "Mundësisht javën që vjen të sillni propozimet për të bërë ndërhyrjet e duhura në ligj", vijoi ai, duke iu drejtuar ministrave Enkelejd Alibeaj dhe Ridvan Bode.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›