Berisha kryqëzon SHISH-in
Berisha sulmon ashpër kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror. Mbledhja e Komitetit të Politikave të Sigurisë ka mbledhur në një tryezë për herë të parë, shefin e qeverisë, Sali Berisha, numrin një të prokurorisë, Ina Rama, kryetarin e SHISH-it, Bahri Shaqiri, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençin dhe ministrat e kabinetit. "Shqiptarët paguajnë taksa për Shërbimin Informativ Shtetëror, për Shërbimin Ushtarak, doganat, tatimet, si dhe për 23 inspektorate. Paratë e taksapaguesve shkojnë në këto drejtime, por eficensa e tyre është ende larg", theksoi Berisha. "Të gjithë duhet të nxjerrin mësime nga tragjedia e Gërdecit". Në këtë mënyrë është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili kërkon reforma në institucionet e sigurisë. "Është e hidhur ajo që ndodhi, por shumë herë më e tmerrshme do të jetë që ne të mos kalojmë në shqyrtim sigurinë në të gjitha direksionet e saj", tha Berisha. Kryeministri Berisha paralajmëroi gjatë mbledhjes së Komitetit të Politikave të Sigurisë, se pranë Këshillit të Ministrave do të krijohet një departament që do të koordinojë punën e të gjitha agjencive që merren me çështjet e sigurisë. "Pranë Këshillit të Ministrave do të ngrihet një departament, i cili do të koordinojnë punën e të gjitha agjencive që merren me problemin e sigurisë, ku përfshihen SHISH-i, Garda e Republikës, Policia, tatimet, doganat, Shërbimi i Ushtrisë, Policia Ushtarake dhe inspektorate të tjera", u shpreh Kryeministri Berisha. Modeli i një strukture të tillë ekziston në shumë vende të tjera dhe mund të marrë atributet e një kolegjiumi që të shqyrtojë periodikisht problemet e sigurisë në vend. Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, Kryeministri shtoi faktin se janë vërejtur mospërputhje ndërmjet informacioneve të sjella nga SHISH-i, por që verifikohen nga policia dhe struktura të tjera. Berisha në këtë mënyrë ka kërkuar që Shërbimit Inteligjent t‘i jepen edhe shërbime e kompetenca të tjera, përpos detyrave aktuale që ka. Berisha e ka pranuar si të vërtetë faktin se Shërbimi Informativ nuk e shtrin veprimin e tij në fushën e ushtrisë, por ka theksuar se "çfarëdo që ai konstaton e ka tagrin për ta ndjekur. Ne duhet të përcaktojmë marrëveshje dhe bazën ligjore që t‘i krijojmë Shërbimit Informativ mundësitë e bashkëpunimit si me shërbimin e ushtrisë dhe me shërbimin e policisë për të ndjekur problemin".