Opozita, kundër komandove në Çad: Kemi shitur armë
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare është përfshirë në debate, lidhur me diskutimin e një akti normativ për dërgimin e disa trupave ushtarake në Çad dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Deputetët e opozitës, anëtarë të këtij komisioni, e kanë kundërshtuar këtë akt, me argumentin se Shqipëria nuk mund të dërgojë trupa ushtarake në këtë vend, kur dihet fare mirë se ne u kemi shitur armë formacioneve të ndryshme rivale në Çad. Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj, ka deklaruar se "ne nuk mund ta bëjmë këtë gjë, në të njëjtën kohë të furnizojmë me armë formacione të ndryshme dhe, nga ana tjetër, të çojmë djemtë tanë paqeruajtës në Çad, për të na i vrarë me armët tona". Ne, tha Lutaj, kërkojmë që në komision të na vijë një informacion i hollësishëm, se çfarë kontributesh ka dhënë ushtria shqiptare për konfliktin në Çad, informacioni të jetë i bashkangjitur me aktin normativ dhe pastaj të na kërkohet vota në Kuvend për të. Mendimi i Lutajt është mbështetur edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Petro Koçi, i cili ka theksuar se "ne duam përgjigje politike, sepse kjo është shumë e rëndësishme, por unë nuk pranoj ta votoj sot këtë akt normativ, pasi këtu duhet të të vijë ministri ose zëvendësministri i Mbrojtjes për të sqaruar aktin normativ dhe pastaj të votojmë". Me qëndrimin e deputetëve të opozitës ka qenë dakord edhe deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, i cili, ashtu si Koçi e Lutaj, ka kërkuar që në komision të jetë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Por nuk kanë ndarë të njëjtin qëndrim me deputetët e opozitës dhe të PDK-së, parlamentarët e mazhorancës, të cilët, nëpërmjet kryetarit të komisionit, Leonard Demi, kanë deklaruar se ky akt normativ duhet të miratohet, pasi është një detyrë për t‘u plotësuar, për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në strukturat e NATO-s. "Ky është një detyrim i yni në rrugën e detyrimit të integrimit të NATO-s, ndaj ju kërkoj kolegëve që ta miratojmë së bashku", tha Demi. Por, pavarësisht qëndrimit të deputetëve të opozitës dhe të PDK-së, komisioni ka miratuar këtë akt normativ me vetëm 5 vota pro të PD-së, ndërkohë që komisioni ka 14 anëtarë. Tashmë ky akt normativ do t‘i kalojë Kuvendit në seancën e ditës së hënë, ku do të votohet dhe më pas do të hyjë në fuqi.