"Gjonboçari" fiton 49 mijë euro nga shteti
Qeveria kthen borxhin ndaj çështjes "Gjonboçari". Ministria e Financave do të paguajë 49 mijë euro brenda datës 20 qershor të këtij viti. Shuma prej 49 mijë eurosh do të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve në Gjykatën e Strasburgut, "Gjonboçari" dhe do të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma në datën kur do çelet llogaria. Ankuesit kanë pretenduar se është cenuar e drejta për një proces të rregullt, pasi autoritetet shtetërore janë vonuar pa arsye në shqyrtimin e pretendimeve të tyre lidhur me pronën. Sipas relacionit, ankuesit kanë pretenduar si dëmshpërblim material 2 milionë euro dhe si dëmshpërblim moral 51 mijë euro. Ndërkohë që qeveria shqiptare kompenson ankuesit në vlerën 49 mijë euro. Në këtë mënyrë, qeveria miraton ekzekutimin e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut datë 23.10.2007 për çështjen "Gjonboçari".