Koçiaj, 10 milionë të sekuestruara
Ka qenë radha e llogarive bankare të Ilir Koçiajt, që të vihen në sekuestro, për shkak të veprimtarisë së tij kriminale. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dje paradite që të sekuestrojë dy llogari bankare dhe një autoveturë në pronësi të të akuzuarit për veprat penale të "trafikimit të narkotikëve" dhe të "grupit të strukturuar kriminal". Sipas burimeve nga gjykata, kërkesa e prokurorisë për sekuestro përfshinte dy llogari bankare me vlerat 5 382 091 lekë dhe 5 milionë lekë, një makinë të tipit "Benz", si dhe shumën në monedhë të huaj, prej 29 000 USD. Ndërkaq, gjykata ka pranuar vetëm kërkesën për dy llogaritë në lekë dhe autoveturën, duke rrëzuar kërkesën për shumën në dollarë. Pak kohë më parë, gjykata kishte vendosur për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe dy garazheve, që ndodheshin në Rrugën e Elbasanit në Tiranë dhe që ishin në pronësi të Koçiajt.