Opozita greke kritikon Tiranën

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Shqipëri ka shkaktuar reagim edhe nga opozita greke. Kryetari i Departamentit të Politikës së Jashtme në Demokracinë e Re, deputeti Konstantinos Gioulekas, e quan të papranueshëm faktin që pikërisht Shqipëria, e cila sipas tij kërkon ndihmën e Greqisë për të hyrë në BE, nga ana tjetër pengon regjistrimin e pakicës greke.
Në një deklaratë të Departamentit të Jashtëm të partisë “Demokracia e re” thuhet: “Me një iniciativë të paparë legjislative nga qeveria shqiptare po zbatohen metoda, që nuk i lejojnë banorët e Epirit të Veriut të shprehin identitetin e tyre kombëtar dhe fetar në regjistrimin e ardhshëm. Është e papranueshme që Shqipëria, e cila kërkon ndihmën e Greqisë për të ndihmuar për hyrjen në Bashkimin Evropian, ndjek politikat e Luftës së Ftohtë, bën shantazh për Epirin e Veriut dhe shkel të drejtat e banorëve të tij”.
Kjo deklaratë e Departamentit të Punëve të Jashtme të Demokracisë së Re, u bë pas një turneu që deputeti Gioulekas bëri në Gjirokastër dhe zona të tjera pranë saj.