Berisha: Rritja e të ardhurave për qytetarët, prioriteti ynë

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se të gjitha të ardhurat e mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë janë shndërruar në para për xhepat e tyre.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit ku u diskutua buxheti faktik 2010, kryeministri Berisha theksoi se prioritet i qeverisë mbetet rritja e të ardhurave për çdo shqiptar.
“Qeveria para së gjithash dhe mbi të gjitha i shndërroi në para për portofolet e 810 mijë familjeve shqiptare. Në një kohë kur qeverive të tjera iu desh të fusin gërshërt në xhepat e qytetarëve të tyre, qeveria shqiptare derdhi një pjesë të mirë të buxhetit shqiptar për rritjen e rrogave dhe pensioneve” ka theksuar Berisha.
“Socialistët e vërtetë jemi ne dhe jo ju. Ka një tregues për shpërndarjen e të ardhurave dhe është një tregues i rëndësishëm. Fytyra njerëzore qeverisjes është fytyra njerëzore e buxhetit dhe qeverisjes sonë. Ajo është shtylla e buxhetit tonë sa të jemi në pushtet”, u shpreh Berisha. Ku shkojnë paratë e shqiptarëve? shtroi pyetjen kryeministri ndërsa u përgjigj se “po shndërrohen në mijëra kilometra rrugë ku nuk shkelni as për zgjedhje se rrini në ekrane televizive. Për të shkuar në Kukës ju i bini nga Maqedonia e harroni se është ndërtuar autostrada e kombit. Ku shkojnë paratë? Jua them unë, nga maja e Çajupit deri në Valbonë. Nga lartësitë e Vermoshit deri në Prespë. Ne po ndërtojmë rrugët e shqiptarëve dhe nuk po ndërtojmë akset madhështore por edhe rrugë e rrugica të shtëpive të tyre”, theksoi më tej kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu shprehu ngushëllimet edhe për vdekjen e krijuesit të Apple Stive Jobs ndërsa shtoi se i gjithë njerëzimi i detyrohet shumë atij.
“Jobs ishte pararendësi gjenial i së ardhmes, ai solli në dorën tonë ëndrrën, ai i bëri realitet të gjitha. Na dhuroi neve tokësorëve realitetin e internetit. Çdo njeri, dhe njerëzimi në tërësi i detyrohen atij shumë”, theskoi Berisha.