Vetëvendosje, aksion kundër hyrjes së mallrave serbe në Kosovë
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon aksionin kundër hyrjes së prodhimeve serbe në Republikën e Kosovës. Të enjten aktivistët e kësaj partie kanë rrotulluar edhe një maune me mallra serbe në fshatin Lupç të Podujevës, përkatësisht në magjistralen Prishtinë – Podujevë.
Në shenjë kundërshtimi për tregtinë e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje më 21 shtator po në të njëjtin vend, patën ndërmarrë një aksion kundër mauneve me mallra të Serbisë, të cilave u shkarkuan mallin që ishte prodhim i kompanisë Centro Proizvod nga Beogradi dhe rrotulluan maunen për ta bërë të palëvizshme.
Aksionet e saj, Vetëvendosja i arsyeton me faktin se nuk mund të ketë marrëdhënie tregtare me një vend agresor, i cili mban në jetë e në aktivitet struktura kriminale që kanë marrë peng një pjesë të territorit tonë, duke e shndërruar në fole të kontrabandës, krimit të organizuar dhe terrorit për vetë qytetarët e asaj pjese.