Tahiri: BE, presion ndaj Serbisë për bisedimet
BE duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë për vazhdimin e bisedimeve të ndërmjetësuara, që janë ndërprerë muajin e kaluar, kjo është deklarata që ka bërë për mediat kosovare shefja e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri pas takimit me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Samuel Zhbogar në Lubjanë.
Sipas saj, BE-ja ka mjete të rëndësishme për t`i detyruar palët për bashkëpunim. Ajo ka fajësuar qeverinë e Serbisë për këtë situatë dhe është shprehur se BE-ja duhet ta shpërblejë Prishtinën me raporte kontraktuale, deri në fund të vitit, për rolin konstruktiv të Kosovës deri tani.
Kemi kërkuar nga BE që nëse ka mungesë bashkëpunimi nga pala serbe atëherë konstruktiviteti i Kosovës në dialog duhet të shpërblehet duke i dhënë Kosovës mundësinë për të përparuar drejt BE-së dhe kërkesa jonë konkrete është që deri në fund të vitit ne do të duhej të hynim në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, deklaroi Tahiri.
Tahiri theksoi se barrikadat janë në kundërshtim me vlerat evropiane, dhe se ato do të hiqen në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, e në mënyrë të moderuar.