Berisha: Rritje rrogash dhe pensionesh
11/03/2010 Qeveria do të vazhdojë politikën e saj të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Kryeministri Sali Berisha ka premtuar gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave se Qeveria që drejton do t’i përmbahet zotimit të dhënë para qytetarëve shqiptarë për rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve. “Pagat duhet të theksoj se do të rriten. Gjithashtu edhe pensionet do të rriten. Qytetarët shqiptarë duhet ta kenë shumë të qartë zotimin para tyre. Sa të na votojnë, do të kenë rritje rrogash dhe pensionesh. Kjo është një kontratë së cilës ne i qëndrojmë”, ka thënë shefi i ekzekutivit. Rritja e rrogave dhe pensioneve përbën një ndër pretimet kryesore elektorale të mazhorancës së djathtë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet politike të 28 qershorit 2009. Prirja drejt rritjes së rrogave dhe pensioneve vjen në një kohë kur përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë ditëve të fundit, pas takimeve me zyrtarë të lartë shqiptarë, kanë kërkuar uljen e borxhit publik, ndërkohë që situata ekonomike nuk është ndër më optimistet. Gjithsesi, qeveria do të vijojë me rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kryeministri Berisha ka deklaruar disa herë se kjo është politika që do të ndjekë qeveria e drejtuar prej tij.