Berisha: Rrogat dhe pensionet do rriten, nuk preket marrëveshja me FMN
Në mbledhjen e ditës së shtunë të qeverisë kryeministri Berisha tha se në sajë të këtij modeli të suksesshëm ekonomik, i cili përfshin politikën për uljen e taksave, është krijuar në vend një liri fiskale ndër më të lartat në Europë dhe në botë, e cila bëri të mundur që në katër anët e vendit, pavarësisht nga distanca, të dyfishohej dhe të mbi dyfishohej numri i bizneseve. Kryeministri theksoi se me këtë rritje nuk shkelet asnjë marrëveshje e qeverisë me FMN-në dhe se qeveria ka marrëdhënie të shkëlqyera me FMN, BB dhe të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. “Me këtë rritje edhe njëherë dua të theksoj se nuk shkelim asnjë marrëveshje me FMN, por dua të informoj shqiptarët se para vitit 2006 rrogat dhe pensionet jo vetëm nuk siguroheshin me të ardhurat buxhetore, por një pjesë e kredive përdorej për financimin e tyre. Megjithëse kemi investuar miliarda euro dhe nuk kemi përdorur një qindarkë për rroga dhe pensione, borxhi publik do të jetë 59.7%, nuk rritet më. Ky është zotimi ynë para partnerit tonë të shkëlqyer FMN”, tha Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se pretendimet e opozitës “se jemi në prag të katastrofës” janë sa të pavërteta, aq edhe të pashpirta. “Është e dhimbshme kur sheh sesi kundërshtarët tanë të vetmit në Europë dhe në botë kundërshtojnë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe të pensioneve” tha Kryeministri.