Buxheti, shpenzimet shkurtohen me 16 miliardë lekë
Rishikimi i buxhetit të këtij viti do të rezultojë me një shkurtim të shpenzimeve në masën e 16 miliardë lekëve. Projekti i rishikimit të buxhetit, që parashikon rrudhjen e arkës së shtetit të këtij viti me 140 milionë euro, pritet që shumë shpejt të kalojë për miratim në qeveri dhe më pas në Kuvend, me qëllim që ndryshimet të aktivizohen që nga fillimi i korrikut. Kështu, është planifikuar ulje e të ardhurave dhe e shpenzimeve, kryesisht ato korrente, që kanë dhe vlerën më të lartë të shkurtimeve. Ndërsa shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të ministrive të linjës për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Ndërkohë që në rishikimin që është duke iu bërë buxhetit ekspertët janë duke marrë në konsideratë shkurtime në pjesën e projekteve dhe zërave që nuk i kanë konsumuar fondet sipas programit fillestar të buxhetit. Është bërë traditë tashmë që në mes të vitit, buxheti i shtetit të rishikohet, me qëllim riorientimin e fondeve në strukturimin e tyre, në raport me realizimin. Përvoja ka treguar se kur ka të ardhura më tepër se programi, miratohet buxheti shtesë në korrik, por kur të ardhurat janë më të ulëta se plani i fillim vitit, bëhen disa shkurtime, me qëllim mbajtjen e deficitit buxhetor nën kontroll. Mirëpo, duke marrë në konsideratë zhvillimet buxhetore të katërmujorit të parë të këtij viti, duket se rishikimi i buxhetit do të vijojë me ristrukturim fondesh, pasi ritmet e rritjes së shpenzimeve janë shumë më të larta se ritmet e rritjes së të ardhurave.