Rritja e pagave, Financat rishikim draftit
Ministria e Financave është duke ripunuar draftin e rishikimeve në buxhet për shkak të mosmarrëveshjeve me Kryeministrinë për rritjen e pagave. Ja detajet për të rritur fondin e pagave dhe pensioneve
Rritja e pagave dhe pensioneve është duke u rishikuar sërish. Ministria e Financave, sipas një direktive të fundit të kryeministrit Sali Berisha, është duke rishikuar projektbuxhetin shtesë për të gjetur burime të reja për rritjen e pagave dhe pensioneve. Qeveria u mblodh të shtunën për të kaluar ndryshimet në buxhet që realisht nuk janë miratuar. Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se Kryeministri nuk ka pranuar treguesit e buxhetit të draftuar nga Ministria e Financave, të cilët kërkojnë vetëm indeksim të pagave dhe pensioneve, çka do të thotë një rritje jo më shumë se 4 për qind. Mirëpo, pasi Kryeministri dhe këshilltarët e tij kanë shqyrtuar draftin dhe kanë bërë një miratim të tij në riparim, e kanë kthyer edhe një herë për ripunim në Ministrinë e Financave. Burimet në dikasterin e Bodes bënë të ditur se ekspertët po punojnë dhe në fundjavë dhe me orë të zgjatura për të gjetur mundësinë për rritjen e pagave. Kështu, për të racionalizuar fondin janë duke u marrë në konsiderate reforma në administratë dhe rishikimi i skemës së shpërblimeve. Një grup i posaçëm në Ministrinë e Financave po merret me disiplinimin e fondit të pagave. Qeveria do të përfshijë në reformë shpenzimet e personelit që kanë lidhje me pagat. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë po bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. “Një nga propozimet për forcimin e disiplinës në këtë fushë është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror në ligjin e buxhetit të vitit 2011, për herë të parë”, bëhet e ditur në dokumentin zyrtar të Financave për këtë qëllim. Kjo masë është reflektuar tashmë. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se, pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si ata administrativë, subvencione etj., kosto e personelit duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Afati i përfundimit të reformës është korriku i këtij viti, fiks koha që përkon me rritjen e pagave për administratën shtetërore. Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet e personelit për vitin 2011, bazuar në një politikë konstante në numrin e punonjësve buxhetorë për vitin 2010 e në vazhdim, si dhe në një politikë të kujdesshme të rritjes së pagave, parashikohen të jenë në nivelin 5.2% të PBB. Përllogaritja e tavaneve për paga dhe sigurime shoqërore në vitin 2011 është mbështetur në numrin organik të punonjësve, të miratuar me VKM në fuqi. Ministria e Financave sqaron se fondi i pagave është përllogaritur duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave, duke filluar nga data 1 korrik 2010, si edhe VKM nr.591, datë 23.07.2010 “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore”. Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2011 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritje selektive për sektorët prioritarë. Kështu, nga 3 miliardë lekë të rezervuara në vitet e shkuara për rritjen e pagave te zëri i kontingjencave në tre vitet në vazhdim, deri më 2013, fondi do të jetë vetëm 1.5 miliardë lekë, duke shërbyer vetëm për një indeksim. Sipas ndryshimeve që janë duke u bërë në Ministrinë e Financave do të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin. Ndërkohë që ministri Bode gjatë ka pohuar se “Jemi i vetmi vend në rajon, që më shumë se 1/3 e buxhetit e akordojmë për pensione dhe politika sociale”. Bode ka lënë të kuptojë se rritja e pagave dhe pensioneve është maturuar tashmë. Mirëpo edhe vitet e shkuara Kryeministri ka qenë kundër Bodes për rritjen e pagave dhe pensioneve, duke kërkuar rritje më të larta.