Investimet, qeveria shkurton me 9 miliardë lekë fondin e 2011-s
Zëri i investimeve në buxhet me rishikimin e buxhetit do të shkurtohet me rreth 100 milionë dollarë. Ndërsa, pavarësisht sugjerimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave në total do të shkurtojë rreth 16 miliardë lekë ose 160 milionë dollarë. Në draftin e buxhetit të rishikuar është parashikuar që zëri i investimeve të shkurtohet me 9.3 miliardë lekë. Ministria e Financave ka konkretizuar draftin e rishikimit të buxhetit 2011 me parametrat e tij të rinj. Burime konfidenciale nga ky dikaster bëjnë të ditur për se zëri i investimeve do të shkurtohet me 9,3 miliardë lekë, ndërsa fondi total i shkurtimeve do të jetë rreth 16 miliardë lekë më pak, krahasuar me parashikimin e fillimit të këtij viti. Shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të ministrive të linjës për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Sipas këtyre burimeve, sektorët që do të preken më tepër do të jenë arsimi dhe shëndetësia, ndërsa rrugët dhe ujësjellësit nuk pësojnë ndryshime nga planifikimi i fillimvitit. Investimet në buxhetin e fillimvitit ishin 82.5 miliardë lekë, ndërsa me rishikimin e buxhetit të gjysmës së dytë të vitit ato do të jenë në vlerën 73.2 miliardë lekë. Deri tani janë çelur mbi 2000 projekte, nga të cilat 50% e tyre janë realizuar, sqarojnë të njëjtat burime. Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, ky dikaster ka analizuar ecurinë e investimeve në projekte, në mënyrë që fondet e mbetura pezull në disa projekte të kalojnë në ato që po ecin më mirë.