Berisha: Rruga e Arbrit, e bashkimit shqiptar me kombe të tjera
Rruga e Arbrit është shpallur prioritet i infrastrukturës rrugore për mandatin e dytë të qeverisjes. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Lotit 1 dhe 2 të Rrugës së Arbrit, që përfshin segmentin Ura e Vashës - Bulqizë. Loti 1 i segmentit Ura e Vashës - Bulqizë, realizohet me investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 838,621, 133.9 lekë. Ky lot ka një gjatësi 3.9 km dhe gjerësia e rrugës, duke përfshirë edhe pjesën e bankinës, është 11 m. Edhe Loti 2 i segmentit Ura e Vashës - Bulqizë, i Rrugës së Arbrit realizohet me investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 748 248 264 lekë. Ky lot ka gjatësi rreth 3.8 km dhe gjerësia e rrugës në total është 11 metra. Rruga kalon në anën e djathtë të përroit Zalli i Planit të Bardhë dhe të fshatit në këtë zonë.
Në tubimin e organizuar në Qytetin e Ri, kreu i Qeverisë fillimisht ka falënderuar zgjedhësit e këtij rrethi për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e 28 qershorit. “Për Rrugën e Arbrit flet vetë emri i saj. Ajo është rruga e kombit, është rruga që bashkon kombe të tjera të rajonit. Bashkon jo vetëm Peshkopinë, Bulqizën, Klosin me Tiranën, por afron Shkupin me Tiranën me afro 100 kilometra”, tha në fillim të fjalës së tij Kryeministri Berisha. “Këtë verë qindra e mijëra shqiptarë të Maqedonisë dhe maqedonas kanë ardhur në Shqipëri për vizitë dhe për të pushuar në brigjet tona. Ky është një nder dhe vlerësim për Shqipërinë, ndaj gjej rastin t’i falënderoj ata”, theksoi Berisha, teksa nënvizoi se verën e ardhshme numri i turistëve që do të udhëtojnë nëpërmjet Rrugës së Arbrit do të vijë në rritje.
Duke sulmuar kreun e opozitës, Edi Rama, Berisha tha se: “Vetëm gjatë muajit korrik numri i turistëve të ardhur në vendin tonë ka qenë disa herë më i lartë sesa vitin e kaluar”. “Ish-kryetari i PS-së e quajti Rrugën e Kombit si rrugën e askushit, ndërkohë vetëm gjatë kësaj vere mijëra kosovarë kanë ardhur për pushime në brigjet shqiptare. Akoma më shumë do të vijnë vitin e ardhshëm pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit”, nënvizoi ai. Kreu i maxhorancës deklaroi se vendi është kthyer në kantier ndërtimi dhe se do të realizohet objektivi i Qeverisë për punësimin e 160 mijë shqiptarëve. “Për ne, tha Berisha, armiku kryesor mbetet varfëria, të cilën do ta përballojmë dhe luftojmë në çdo skaj e familje shqiptare. Ne nuk mund ta zhdukim plotësisht varfërinë, por skamjen do ta eliminojmë”, deklaroi Kryeministri Berisha në Bulqizë. h.p