E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtari bashkiak: Droga në makinë "kurth" nga shoferi

 

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë "burg pa afat" për 50-vjeçarin Petrit Abedini, kryetar i Këshillit Bashkiak të Tepelenës, i akuzuar për "trafik ndërkombëtar të narkotikëve". Kjo ishte edhe kërkesa e përfaqësuesit të prokurorisë për të arrestuarin, e cila u kundërshtua nga avokati i të pandehurit, i cili kërkoi një masë sigurie më të lehtë ose me afat disa ditor, derisa të ekspertoheshin gjurmët e gishtave, që janë gjetur në ambalazhin e narkotikut. Sipas prokurorit, Abedini u arrestua në Kakavijë, pasi gjatë kontrollit në mjetin që transportonte u gjetën të fshehura 35 kilogramë kanabis sativa të presuar. Operacioni policor për prangosjen e tij ishte koduar "Pritja", i cili u zhvillua në orët e para të pasdites së të martës. Biznesmeni Abedini nga Tepelena, i cili është njëkohësisht kryetar i Këshillit Bashkiak dhe kreu i PSV'91 të Tepelenës, u vu në pranga në orën 15:00 të së martës sapo iu gjet droga në maunen që ai drejtonte. Maunia e tipit MAN me targë TP 2798 B dhe me targa të trajlerit TP 2808 B, rezultonte të ishte e rregullt në dokumentacion dhe pronar i saj ishte vetë transportuesi i mallit narkotik Petrit Abedini. Vetë i pandehuri dhe avokati i tij mbrojtës Idajet Beqiri treguan se rreth 5 ditë para arrestimit mjeti kishte qenë në Greqi i drejtuar nga shoferi i punësuar ku kishte ngarkuar mallra për t'i sjellë për një firmë në Kërrabë të Tiranës. Zhdoganimi do të kryhej në Elbasan, ku ka qëndruar makina rreth tre ditë dhe pas kryerjes së procedurave nga shoferi mjeti është shkarkuar në Kërrabë dhe është nisur drejt Tepelenës. Gjatë kësaj kohe Abedini ndodhej me pushime në plazhin e Sarandës, ndërsa i ka telefonuar shoferit dhe i ka thënë që të linte trajnerin bosh në Tepelenë dhe të nisej sërish në Greqi me trajler tjetër të ngarkuar. Pas kundërshtimit të shoferit, i cili ka pretenduar për lodhje fizike, pronari Abedini është nisur vetë me kamion, ndërsa është prangosur në Kakavijë. Ai pohoi dje se sipas prokurorisë lënda narkotike ishte mbledhur rrugës nga zona e Fierit dhe e Mallakastrës, çka të çon në përfundimin se mjetin në këtë rrugë e ka drejtuar shoferi i punësuar. Për më tepër Abedini kërkoi, që të ekspertoheshin gjurmët e gishtave të lëna në ambalazhin e drogës.                                     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›