E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Arka e shtetit ka 240 milionë euro

 

BLEDAR HOTI

Situata financiare e Qeverisë është e qëndrueshme dhe nuk rrezikohet nga kriza globale. Kështu deklaroi ministri i Financave shqiptare, Ridvan Bode, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës se arka e shtetit është lënë bosh për shkak të fushatës elektorale. “Buxheti i shtetit është i mbrojtur nga rezervat financiare, që Qeveria ka siguruar përmes privatizimeve në dy vitet e fundit. Ne kemi në dispozicion të buxhetit të vitit 2009 për t’u përdorur rreth 90 milionë euro të privatizimit të kompanisë ARMO, pasi nuk i përdorëm dhe i lamë për këtë vit, kemi të ardhurat nga privatizimi i OSSH-së, rreth 102 milionë euro dhe kemi të ardhurat nga privatizimi i aksioneve të AMC-së, rreth 48 milionë euro. Të gjitha këtë fonde do të përdoren për financimin e investimeve publike dhe për uljen e borxhit”, u shpreh ministri i Financave, Ridvan Bode. Janë rreth 240 milionë euro që kryefinanciari Bode i ka cilësuar të mjaftueshme për të kryer financimet në fushën e investimeve dhe në shlyerjen e borxhit. Bode theksoi se rënia e të ardhurave nga taksat ka qenë minimale dhe se nisma e qeverisë për të rishikuar buxhetin e shtetit nuk bëhet për të ulur investimet publike, por ka një tjetër qëllim.
“Qëllimi është që të rialokojë të gjitha ato investime që ende nuk janë përpunuar fondet e lira dhe të mundësojë rritjen e investimeve publike, pasi rishikimi i buxhetit do të thotë rritje të investimeve publike”, theksoi Ministri. Ndërsa për sa i përket çështjes së përballimit efekteve që sjell kriza ndërkombëtare botërore, Bode deklaroi se kanë zbatuar një plan masash tepër agresiv. “Kemi zbutur efektet e krizës ndërkombëtare me një plan agresiv investimesh buxhetore. Situata buxhetore është në kontroll të plotë dhe efektet e krizës mbi ekonominë e vendit janë minimale. Ecuria është pozitive si në aspektin e të ardhurave buxhetore ashtu edhe në përshpejtimin e shpenzimeve publike, sidomos të investimeve publike, i cili u përzgjodh nga ana e qeverisë sipas miratimit që iu bë ligjit për buxhetin 2009 si një instrument i rolit aktiv të financave publike ndaj impaktit të ekonomisë botërore, që mund të jepej në periudhën e krizës së thellë ekonomike”, tha Bode. Një nga pasojat më të dukshme të krizës për qytetarët ka qenë zhvlerësimi i lekut, sidomos ndaj euros. Për ministrin e Financave, “Banka e Shqipërisë i ka të gjitha mundësitë për të garantuar qëndrueshmërinë e lekut në të ardhmen. Banka e Shqipërisë është ajo që merret me stabilitetin monetar të vendit, ajo është shumë aktive dhe po luan politikat e duhura”. Ministria e Financave parashikon se gjatë vitit 2009 ekonomia shqiptare do të rritet me 4.8 për qind, kur FMN jep një shifër 12 herë më të ulët, prej 0.4 për qind. Sipas kreut të financave edhe treguesit e deficitit buxhetor janë brenda parametrave të caktuara me ligj, ndërkohë që konfirmohet se të ardhurat janë realizuar 4 për qind më pak se plani buxhetor.

Kodheli: Bode të tregojë shpërdorimin e fondeve

Partia Socialiste akuzoi dje ministrin e Financave Ridvan Bode për shpërdorim të fondeve publike për fushatën elektorale. Anëtarja e kryesisë dhe deputete e PS-së Mimi Kodheli, reagoi dje pas deklaratës së Bodes se buxheti është i garantuar për punët publike. “Sot, ministri i Financave, ka bërë me dije për shqiptarët se e kaluam krizën ekonomike dhe se situata është e stabilizuar. Ridvan Bode, më në fund ka pranuar se vendi ka pasur krizë, edhe pse PS e ka bërë me dije një fakt të tillë prej shumë kohësh”, u shpreh Kodheli. Sipas selisë rozë, ministri i Financave duhet t’u shpjegojë shqiptarëve përse nuk janë paguar 60 milionë euro për rrugën Durrës-Kukës, ndërsa nuk ka paguar një sërë faturash për kompanitë e tjera në të gjithë vendin që punojnë në infrastrukturë. “Ministri i Piramidave duhet t’ju thotë shqiptarëve nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka kjo qeveri, firmave të tjera të rrugëve të hapura nëpër Shqipëri. Ministri i Piramidave duhet të tregojë të vërtetën për financat e shthurura të vendit, për mosfinancimin e kontratave që ka lidhur për rrugët e për mungesën e investimeve, për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi, si edhe për pasigurinë sociale që po rritet çdo ditë në Shqipëri”, u shpreh Kodheli. Sipas saj, kur Guvernatori i Bankës, edhe pse me një gjuhë shumë diplomatike, flet qartë për krizë ekonomike kërcënuese, ministri i Financave çuditërisht pranoi sot se situata ekonomike në vend tashmë është e qëndrueshme!!!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›