E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Jo në qeveri me Berishën

 

Aristir Lumezi

Një grup anëtarësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim, mes të cilëve Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Mustafa Muçi të kryesuar nga Pëllumb Xhufi i kanë bërë thirrje publikisht kryetarit të kësaj partie Ilir Meta, të ndalojë sa më parë bashkëpunimin me Berishën dhe të riparojë vendimmarrjen. Në një konferencë për shtyp, të organizuar në hotel “Tirana”, Pëllumb Xhufi tha se një vendimmarrje e tillë do të shndërronte LSI-në në një parti numrash për të arritur votat në Parlament. “Ne vërtet besojmë se janë të gjitha arsyet për të riparuar sa më parë vendimmarrjen e pashkak e të nxituar, e aspak të natyrshme për ta nxjerrë Lëvizjen tonë Socialiste nga misioni dhe programi i saj politik, nga spektri i majtë i politikës shqiptare dhe për ta shndërruar thjesht në parti numrash, pjesë e llogarive qeveritare për të arritur numrin magjik 71”, deklaroi Xhufi, dje para gazetarëve. Nënkryetari i LSI-së tha më tej se kryeministri Berisha nuk kishte marrë votat e duhura për të qeverisur në zgjedhjet e 28 qershorit dhe se e akuzoi si përgjegjës të deformimit të proceseve demokratike. “Ne sikurse shumë anëtarë të LSI-së nuk mund të pranojmë që përpjekjet tona të përbashkëta disavjeçare dhe votat e shqiptarëve, të cilët besuan te ne dhe LSI të zhbëhen tërësisht pa asnjë shkak të qenësishëm për t’u vënë në shërbim të pushtetit arbitrar, personal të kryeministrit të pavotuar të Gërdecit, përgjegjësit të vetëm të deformimit të procesit demokratik të vendit dhe bashkautorit të pucit kushtetues të 21 prillit”. Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Fatos Klosi, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi i kujtojnë Ilir Metës se me vendimin për bashkëpunimin me Berishën po hedh poshtë parimet mbi të cilat 5 vite më parë bashkëthemeluan LSI-në. “Apelojmë publikisht për të ndaluar aktin final të bashkëpunimit me Berishën, sikurse është detyrimi ynë parimor kundrejt të gjithë miqve, kolegëve e bashkëpunëtorëve tanë, por edhe opinionit publik për të sqaruar pa asnjë ekuivok se nuk ka qenë kjo ëndrra jonë që para 5 vitesh e pagëzuam me emrin Lëvizja Socialiste, se nuk gënjyem aspak kur thamë se ne jemi e majta e vërtetë e këtij vendi, se nuk bënim lojëra kur premtonim të qeverisnim Shqipërinë si një e majtë evropiane”.

Dritan Ylli: Deklarata për arsye personale

Lëvizja Socialiste për Integrim e cilësoi deklaratën e pesë anëtarëve të saj me motive personale. Anëtari i kryesisë dhe drejtori i Medias, Dritan Ylli tha dje se vendimi për të bashkëqeverisur me PD-në është marrë në unanimitet nga të gjitha forumet e kësaj partie. “Forumet më të larta të LSI, si Kryesia dhe Konventa Kombëtare kanë marrë vendime unanime, transparente, në mbështetje të plotë të qëndrimit të saj për aleancën qeverisëse të integrimit, ndërsa deklaruesit e sotëm nuk kanë marrë pjesë në këto forume, për më tepër që kemi dëgjuar nga vetë z. Xhufi propozimin e tij në Konventën Kombëtare për mbështetjen e koalicionit me PD, por me kusht që LSI të jepte votat e saj dhe të mos merrte pjesë në qeverisje”, u shpreh Ylli. Sipas tij, motivet nga të cilat është hartuar kjo deklaratë janë motive përfitimi. “Duke qenë shumë të qartë për motivet e forta të përfitimit personal dhe aspak politik të deklaruesve qejfmbetur, që kanë prishur rehatinë e tyre verore në funksion të këtyre motiveve, duke kujtuar se programi i LSI ka prioritet madhor atdheun, ne do të veprojmë gjithmonë vetëm në funksion të interesave të mëdha të vendit dhe stabilitetit të tij politik dhe ekonomik dhe kurrë në funksion të atyre interesave të ngushta, personale dhe meskine, që kanë penguar zhvillimin dhe integrimin e tij”, u shpreh anëtari i kryesisë së LSI-së. Sipas tij, media për këtë konferencë për shtyp u lajmërua nga zyrat e PS-së, ndërsa qëllimi i atyre që firmosën këtë deklaratë është vetëm krijimi i një fokusi artificial për të shmangur vëmendjen nga kongresi i PS dhe nga kriza shumë e rëndë që vjen nga humbja e Ramës pas betejës mafioze, manipulative dhe korruptive të tij ndaj LSI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›