Sherr në kryesinë e PDI, deputeti braktis mbledhjen
BLEDAR HOTI
Afrimi i deputetit të PS-së, Shpëtim Idrizi në PDI kanë shkaktuar debate në mble-dhjen e kryesisë së partisë, që mbron zgji-dhjen e çështjes çame. Kryesia e kësaj partie po punonte për të realizuar mënyrat e koordinimit të punës për të ardhmen në lidhje e mbrojtjen e çështjes çame, por edhe për kërkesat që mund t’i bëhen Partisë Demokratike për pjesëmarrjen në qeverisjen e ardhshme. Deputeti i PDI-së, i vetmi i kësaj partie në Kuvendin e ardhshëm, Dashamir Tahiri ka replikuar me kreun Tahir Muhedini në lidhje me çështjen e deputetit Idrizi. Shkak i kësaj përplasje është se kreu Muhedini ka bërë të ditur që socialisti Idrizi kishte paraqitur një kërkesë zyrtare për t’u bërë pjesë e PDI-së. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga ana e deputetit Tahiri për shkak se ai e ka mohuar një gjë të tillë, duke i kërkuar kryetarit që ta tregonte një shkresë të tillë. Kjo ka mjaftuar që pas debateve Tahiri të braktisë mbledhjen. “U largova nga mbledhja sepse çështja çame për mua është e shenjtë dhe si e tillë ajo nuk mund të ngatërrohet me karrige pushteti apo leje ndërtimi. E përsëris që unë si përfaqësuesi i vetëm i PDI në Parlament kam si prioritet zgjidhjen e çështjes çame, mbështetjen e pakufizuar ndaj Qeverisë Berisha dhe aspak lakminë e karrigeve të pushtetit për përfitim personal e momental. Duke parë rëndësinë e çështjes kam kërkuar me urgjencë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDI për të bërë analizën e përgjithshme të partisë, nxjerrjen e përgjegjësive dhe riorganizimin e saj për t’u përshtatur më së miri më tipin e një partie parlamentare moderne”, deklaroi deputeti Tahiri, i cili theksoi se do të mbështesë Qeverinë Berisha. Kreu i PDI-së, Muhedini është shprehur i habitur në lidhje me qëndrimet e deputetit socialist Idrizi, duke mohuar se ka kërkuar bashkimin me këtë forcë. “Kjo çështje u mbyll me deklarimin e çuditshëm të z. Idrizi në një nga masmediat tona, i cili me sa duket nuk ka forcë e as kurajo të pohojë publikisht ato që ka thënë në takime konfidenciale”, tha Muhedini. Deputeti socialist i cilësoi si qesharake deklarata të tilla.
Postet ministrore
Partia Drejtësi dhe Integrim kërkon një post ministror, dy zëvendësministra dhe ambasadorë në SHBA dhe pranë organizmave të Bashkimit Evropian, për të sensibilizuar për zgjidhjen e çështjes. Këtë gjë ka vendosur kryesia e PDI-së në mbledhjen e djeshme, si pjesë e paketës së negociatave me kreun e PD-së, Sali Berisha për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
“U diskutua që të marrim një portofol të rëndësishëm ministror, u kërkua që të kemi 2 zëvendësministra, të marrim ambasadorë, të cilët të jenë të atashuar pranë BE dhe ndoshta në SHBA”, u shpreh kreu i PDI, Tahir Muhedini pas mbylljes së kryesisë. Në negociatat zyrtare Berisha pritet të gjendet përballë kërkesat në rritje të aleatëve të saj. Do të jenë negociatat e javës, që do të konkretizojnë postin qeveritar që mund të marrë PDI-ja në të ardhmen, edhe pse kjo forcë pretendon të përfitojë marrë një dikaster të rëndësishëm.