E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojat e lajthitjes së një kryeprokuroreje

LORENC RABETA 

Karla del Ponte është thirrur me nofkat ‘Gestapoja e re’, ‘kurva’, ‘plumbi qorr’ dhe ‘personifikimi i kokëfortësisë’”. Me këto fjalë niste artikulli i BBC i datës 11 dhjetor 2007, ku përshkruhej profili i asaj që në atë kohë ishte kreu i organit të akuzës
botërore për krimet kundër njerëzimit. Paragrafi i dytë vazhdonte: “Si kryeprokurore për krimet e luftës e Organizatës
së Kombeve të bashkuara në Hagë, ajo jo pa një lloj perversiteti krenohet lidhur me këto etiketime. Thotë se janë tregues që po bën si duhet punën e vet”. Dhe a bëri Del Ponte punën e vet? Është me vend të përmendet se gjatë gjithë kohës që mbuloi postin e kryeprokurores së Hagës Karla del Ponte nuk dërgoi për gjykim asnjë ushtarak apo politikan serb përgjegjës për spastrimin etnik që u zhvillua në Kosovë nga marsi i vitit 1998 deri në pranverën e vitit 1999. Një armatë prej 45 mijë trupash e përbërë nga forca policore, ushtarakë e paraushtarakë serbë, me uniforma e pa uniforma,
ndërmorën atë fushatë famëkeqe të spastrimit masiv aq të njohur për të gjithë. E megjithatë, Karla del Ponte jo vetëm nuk gjykoi asnjë përgjegjës serb, por për vite u përpoq të fajësonte për krime kundër njerëzimit ish-kryeministrin kosovar Ramush Haradinajn – këmbëngulja e saj u shpërblye në njëfarë mënyrë duke qenë se u dënuan dy bashkëluftëtarë të tij. Ndërkaq, deri kur dorëzoi detyrën e kryeprokurores, në dhjetorin e vitit 2008, nuk kishte arritur synimet kryesore që edhe sot vazhdojnë të justifikojnë ekzistencën e Gjykatës së Hagës. Dy prej kriminelëve më famëkeqë të krimeve kundër njerëzimit të kohëve tona, Rakto Mladiç dhe Radovan Karaxhiç jetuan krejt të pashqetësuar gjatë kohës që kërkimet për ta i kryesonte pikërisht Karla del Ponte – fakt që edhe prej vetë Del Pontes është konsideruar dështim i
rëndë, si kur qe në detyrë, ashtu edhe më pas. I pari e gëzon edhe sot këtë liri e qetësi, madje para pak kohësh bëri xhiron nëpër televizionet botërore një video ku krimineli i luftës shfaqej teksa dëfrehej mes miqsh e
familjarësh. Ndërsa i dyti u arrestua pas shumë përpjekjesh të shtrira në vite e, veçanërisht falë vullnetit të qeverisë serbe për ta dorëzuar. Me pak fjalë – siç pohonte dhe pohon Karla del Ponte – këto dy dështime
madhore e vënë fort në dyshim suksesin e punës së saj si kryeprokurore e Hagës.
Ama padyshim, pas lënies së detyrës në Hagë pati sukses në një fushë tjetër, në çastin
kur u kthye në autore librash horror, një zhandërr i lëvruar shumë pak në Zvicër, vend i njohur për shkallën e lartë të mirëqenies dhe nivelin e ulët të kriminalitetit – të gjithë kujtojmë më së miri parodinë e një tresheje
komikësh italianë që vënë në lojë kronikat policeske zvicerane, ku një polic shpëton nga vdekja e sigurt një qytetar që ka gëlltitur Pasojat e lajthitjes së një kryeprokuroreje një top pingpongu, që gati mbytet nga kopsa e këmishës, apo që i ngjitet gjuha te kompartamenti i ngrirjes së frigoriferit. Në librin “Gjuetia” të publikuar në vitin 2008, ish-kryeprokurorja tregon se kishte dijeni për transferimin përtej kufirit shqiptar  të njëqind deri treqind të burgosurve ushtarakë
dhe civilë serbë, të cilëve u janë hequr organe të brendshme me qëllim trafikimi. Për fat të mirë Haga zyrtare nxitoi menjëherë të shkëpuste çdo qëndrim të vetin nga insinuatat e papërgjegjshme të Del Pontes, duke
nënvizuar se edhe për këtë institucion hamendësimet qenë krejt të pabaza. Por nuk kishte si të ndodhte kështu me makinën serbe të dezinformimit, e cila që nga çasti i publikimit të librit është kapur me thonj pas atyre
insinuatave të shkruara e zezë mbi të bardhë, duke i mëshuar veçanërisht fakti se ngjarja është servirur jo nga një njeri dokushdo, por nga vetë ish-kryeprokurorja e Hagës. Për makinën propagandistike serbe ndotja
e luftës së kosovarëve me përqasje terroriste e fundamentaliste qe, dhe me sa duket mbetet edhe sot, në rend të ditës. Përballjet me forcat e armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shiteshin nga mediat dhe
diplomacia serbe si përplasje me grupime terroriste fundamentaliste, ashtu si dhe masakrat ndaj popullsisë civile raportoheshin si përplasje të forcave të rregullta serbe me grupe të armatosura – rasti më tipik
është ai i Raçakut, ku Uilliam Uolkerit, të dërguarit të posaçëm të OKB-së, iu desh të merrte me vete kamerat televizive për t’i provuar komunitetit ndërkombëtar se ajo që raportohej nga ushtria serbe si përplasje me
njerëz të armatosur qe masakër e mirëfilltë ndaj fshatarësh të pambrojtur, mes të cilëve edhe pleq e fëmijë.
Në rastin më të mirë, ish-kryeprokurorja e Hagës është bërë pre e dezinformimit të makinës propagandistike serbe (ka zëra, si ai i biznesmenit dhe politikanit kosovar Bexhet Pacolli, se motivacionet e Del Pontes
kanë ngarkesa dashakeqe), e cila vazhdon edhe sot të flasë për praninë e grupeve terroriste në trojet e banuara nga shqiptarë. Rasti më i fundit i takon vetëm pak javëve më parë, kur ministri i Jashtëm serb foli për
ekzistencën e kampeve për stërvitjen dhe strehimin e grupeve terroriste në Shqipëri e
Maqedoni, deklaratë që u stigmatizua menjëherë edhe nga Shkupi zyrtar.Ndërkohë duket se makina propagandistike
dhe dizinformuese serbe, me në krye një ministër të jashtëm tepër energjik e hiperaktiv,e ka arritur atë që donte falë Del
Pontes. Suksesi nuk qëndron shumë te fakti që ia doli të bindte Organizatën e Kombeve të Bashkuara t’i kthehej rishqyrtimit të insinuatave absurde të Del Pontes për shtëpinë e tmerrit në Burrel, pasi në fund të fundit ky nuk është hetimi i vetëm që bëhet dhe zor të nxjerrë në pah të dhëna të reja për të zbardhur pretendimet serbe. Suksespër Beogradin përbën fakti që në njëfarë mënyre arriti gjënë më të rëndësishme, të tërhiqte në polemikë shtetin shqiptar:
Kryeministri Berisha me të drejtë u vu përkrah shtetasve të tij të akuzuar për një krim aq të kobshëm, qëndrim që u replikua që të nesërmen nga ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Diçka e tillë me shumë gjasa
do të trumbetohet nga ana e Beogradit si mungesë e vullnetit të Tiranës për të lejuar zhvillimin e hetimeve transparente, dhe do përdoret në vazhdimësi nga makina dezinformuese serbe për të përligjur dështimin e
hetimit aktual për ata 200-300 serbë (tani shifra po shtyhet rreth 500-ës) të cilët sipasDel Pontes janë vrarë dhe u janë hequr organet në atë shtëpi më se të zakonshme tëBurrelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›