E Diel, 1 Nëntor 2026

Optimizmi progresist i të majtës

BLENDI KAJSIU 

Filozofia aktuale e qever isjes bazohet në një këndvështrim thellësisht pesimist  dhe negativ si të natyrës
njerëzore, si të shtetit ashtu edhe të shoqërisë. Sot ne e shikojmë individin si një konglomerat interesash egoiste
që është gati të shfrytëzojë çdo mundësi për të kënaqur interesin personal në kurriz të shoqërisë dhe
tjetrit. Për pasojë të gjitha institucionet që ne ngremë sot bazohen te dy koncepte të ndërlidhura, atë të kufizimit të
hapësirës për abuzim dhe të fuqizimit të penalizimit. Më qartë se kudo kjo shfaqet tek fushata anti-korrupsion dhe struktura institucionale që ajo ngre.Në themel të kësaj strukture është nga njëra  anë kontrolli i pafund kombinuar me reduktimin e diskrecionit vendimmarrës, dhe nga ana tjetër fuqizimi i mekanizmave penalizues, që nga masat administrative deri tek ato penale. Ironia e kësaj qasje është se ajo e merr si të mirëqenë se në thelb njeriu është i
prirur për nga korrupsioni, vjedhja dhe abuzimi. Ama nëse besojmë se njeriu nga natyra është i prirur të abuzojë, atëherë në analizën e fundit pyetja se “kush do t’i kontrollojë kontrolluesit” mbetet pa përgjigje, pasi kontrolluesi
i kontrolluesve duke qenë në thelb një qenie e korruptuar do priret të abuzojë mepushtetin e pakontrolluar që ka. Kjo në fakt është situata me të cilën ne përballemi sot, ku kontrolluesit e kontrolluesve janë edhe të korruptuarit më të mëdhenj, siç është rasti i kryeministrit aktual Berisha. Kjo situatë shumë lehtë mund të shikohet si provë e vërtetësisë së aksiomës se njeriu në thelb është një qenie e korruptuar. Ajo që anashkalon një konstatim i tillë është fakti
se sistemi që ne kemi ngritur dhe vetë filozofia jonë qeverisëse e prodhon individin e korruptuar pikërisht duke presupozuar se ai është i tillë. Ideja se individi është në thelb i korruptuar dhe për pasojë i prirur të abuzojë
me pushtetin normalizon pikërisht sjelljen që dënon, duke e bërë atë të “natyrshme”. Prandaj sot kur ne nuk na bën aspak përshtypje abuzimi me pushtetin nga filani apo fisteku edhe kur e dënojmë atë. Përkundrazi abuzimi me pushtetin na duket i natyrshëm për sa kohë bëhet “me karar”, ajo që na çudit dhe nuk arrijmë ta besojmë është mosabuzimi
me pushtetin kur mundësia ekziston. Ndaj sot çdokush që është në një pozitë pushteti presupozohet se është i korruptuar dhe, për pasojë, edhe ata shumë shpejt bëhen të tillë, pasi edhe nëse nuk janë të korruptuar
askush nuk i beson. Ama kjo nuk do të thotë që realisht natyra njerëzore është e ligë apo e korruptuar, por që sistemi që ne kemi ngritur duke e presupozuar të tillë këtë natyrë edhe e prodhon atë. Në thelb kemi të bëjmë me një profeci vetëpërmbushëse. Nëse të gjithë biem dakord se njerëzit janë në thelb të korruptuar dhe për pasojë i trajtojmë si të
tillë, shanset janë që edhe ata si të tillë do të sillen. Është një aksiomë sa e thjeshtë aq edhe e vërtetë se njerëzit kanë tendencën që të sillen ashtu sikurse trajtohen. Pikërisht në këtë element bazë do duhej edhe një ndërhyrje politike e së majtës. Hapi i parë këtu do ishte një filozofi më optimiste në lidhje me natyrën njerëzore, që nuk fillon
tek një individ i ligë dhe i vogël, që gjithë ditën mendon si e si t’ia fusë tjetrit, por që e sheh individin si një qenie e mirë në thelb, por që korruptohet nga institucionet dhe strukturat sociale. Kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga theksimi i përgjegjësive individuale  por do të thotë që të theksosh edhe mënyrat e shumta se si strukturat sociale e
viktimizojnë individin, duke e kthyer atë në një qenie realisht të ligë. Për shembuj konkretë këtu e majta nuk ka nevojë t’i kthehet të Mjerëve të Viktor Hygosë, por mjafton  të futet në burgjet shqiptare siç bëri për pak kohë Edi Rama me nënë Hatixhenë. Sot gjithë ditën flitet për dënime më të ashpra për krimin dhe kriminelët, por askush nuk flet për ata që janë dënuar padrejtësisht dhe që përgjithësisht vijnë nga shtresat më të varfra dhe të margjinalizuara. Ndërkohë ata
që shpëtojnë janë njerëzit më me lekë dhe lidhje. Kemi të bëjmë pra me efektet perverse të polarizimit social në dhënien e drejtësisë. Duhet të jetë një qëndrim i qartë i të majtës, që padrejtësitë sociale nuk mund të zgjidhen vetëm
nga gjykatat dhe prokuroria. Kjo nuk do të thotë se krimi, droga, prostitucioni apo trafiqet nuk duhen dënuar. Ama do të thotë se zgjidhja e këtyre problemeve nuk mbaron në gjykata, por tek eliminimi i kushteve sociale,
ekonomike nga ku ata burojnë. Nuk është natyra e ligë e lazaratasve që i bën ata të mbjellin kanabis, por kushtet ekonomiko– sociale ku ata ndodhen. Përveç penalitetit nuk kemi dëgjuar për asnjë politikë sociale nga e majta për reduktimin e kriminaliteti. Konceptimi i individit si një qenie sociale është një nga hapat që duhen hedhur për të
përqafuar një konceptim më optimist dhe pozitiv të natyrës njerëzore. Ta konceptosh njeriun si qenie sociale, do të thotë të nxjerrësh në pah thelbin altruist dhe jo egoist të tij/saj. Politikisht konceptimi i njeriut si qenie
sociale do të thotë që, nëse për të djathtën nuk ka zhvillim dhe progres të shoqërisë pa zhvillimin dhe progresin e individit, për të majtën nuk mund të ketë zhvillim dhe progres të individit pa zhvillimin dhe progresin
e shoqërisë. Në terma konkretë kjo filozofi mund të përkthehet nga njëra anë në politika
që e luftojnë polarizimin social, pasi ndryshe nga sa besojnë ekonomistët neoliberalë ai nuk prodhon individë të suksesshëm që tërheqin përpara shoqërinë e dështuar, por një shoqëri të dështuar që tërheq mbrapsht
individët e suksesshëm. Më konkretisht, kjo filozofi mund të përkthehet jo vetëm në theksimin e hapësirës publike, por edhe në nxitjen e sipërmarrjeve të përbashkëta, qofshin këto edhe private. Në këtë aspekt shteti mund
të luante një rol qendror garantues dhe koordinues si p.sh., në nxitjen dhe mbështetjen e kooperativave bujqësore që operojnë suksesshëm në treg, ku individët fitojnë duke bashkëpunuar dhe jo duke ia futur njëritjetrit.
Po kështu në privatizimin e aseteve kombëtare shteti mund të nxiste bashkëpunimin midis kapitalit lokal ose më specifikisht të shoqërive aksionere, në vend që privatizimin ta reduktonte vetëm te persona të
caktuar. Natyrisht kjo do nënkuptonte një rol më të madh për shtetin dhe, për pasojë, një këndvështrim
më optimist për kapacitetet dhe mundësitë e tij. Me fjalë të tjera kërkohet rilindja e besimit te shteti dhe kapacitetet e tij.
Po si mund të ndodhë diçka e tillë në kushtet aktuale, kur ne çdo ditë jemi dëshmitarë të dështimit dhe paaftësisë së shtetit, kur ne CD ditë shohim se si shteti shpesh i ngatërrohet nëpër këmbë privatit? Në këtë pikë çdo
neoliberal i ndershëm me të drejtë do na thoshte se është e pamundur t’i japim më shumë detyra dhe përgjegjësi shtetit nëse ai nuk përmbush mirë edhe këto që ka aktualisht. Prandaj për të rilindur besimin dhe
optimizmin tek shteti nesër, e majta duhetqë së pari të kuptojë dhe denoncojë shkaqet  e dështimit të shtetit sot. Dhe shkaqet e këtij dështimi burojnë nga vetë modeli i zhvillimit neoliberal që riprodhon pikërisht atë që
presupozon, një shtet të dështuar. Le t’i shikojmë këto shkaqe me radhë. Së pari, sikurse edhe në rastin e natyrës
njerëzore, kemi të bëjmë me një profeci vetëpërmbushëse. Nëse të gjithë besojmë se është në natyrën e shtetit të jetë jo efikas, atëherë as nuk do ushtronim presion për rritjen e efikasitetit shtetëror, dhe as do
ndërmerrnim masa konkrete për ta rritur
efikasitetin e tij, duke prodhuar kështu një
sektor publik vërtet inefikas. Mjafton të përmendim
rastin e kompanive të mëdha shtetërore
si KESH apo Albtelekom, të cilat që
nga rënia e komunizmit kanë vegjetuar në
pritje të privatizimit, duke provuar premisën
fillestare se vetëm privati mund t’i sjellë ato
në vete. Këtu dikush me të drejtë mund të
thotë se kompani të tilla nuk mund të ftilloheshin
nga shteti, pasi ato ishin të mbytura
nga klientelizmi politik. Dhe ky është faktori
i dytë që shpjegon dështimin e shtetit
tonë. Akoma më i qartë dhe shqetësues është
ky klientelizmi politik tek administrata publike,
ku strehon shpesh njerëz të paaftë dhe
abuziv si pasojë e lidhjeve e të forta politike.
Ama sikurse e kemi shpjeguar më parë, klientelizmi
politik buron nga vetë modeli i zhvillimit
neoliberal që ne kemi ndjekur, ku
shteti thjesht tërhiqet nga ekonomia dhe nuk
prodhon as politika zhvillimore dhe as politika
sektoriale. Në kushte të tilla e vetmja gjë
që partitë politike mund t’i ofrojnë militantëve
të tyre është vetë shtetit. Aq më tepër
me një shtet të varfër si ky i yni. Kemi ardhur
kështu te faktori i tretë, që shpjegon dështimin
e shtetit tonë; mungesa e financimit.
Thënë thjesht shteti ynë nuk ka para mjaftueshëm
për të financuar modernizimin e tij.
Kjo buron nga një ekonomi si kjo e jona, që
bazohet te shërbimet dhe tregtia, kombinuar
me një shoqëri që mbahet nga remitancat, të
cilat në pjesën më të madhe e anashkalojnë
shtetin. Për pasojë, ne sot kemi një shoqëri
më të pasur sesa shteti i saj, çka në një masë
të caktuar shpjegon edhe korrupsionin administrativ,
që është një rishpërndarje e të
ardhurave nga shoqëria tek shteti. Ama
struktura aktuale e ekonomisë sonë, sikurse
e kemi argumentuar më parë, buron nga vetë
modeli ynë neoliberal i zhvillimit që zhduk
prodhimin vendas dhe e zhvendos motorin
tonë të zhvillimit jashtë nesh. Është pikërisht
ky model që duke presupozuar një shtet
të dështuar, duke stimuluar klientelizmin
politik, duke eliminuar politikat zhvillimore
dhe mbrojtëse prodhon një ekonomi të pazhvilluar,
nga ku buron një shtet i dështuar, që
nuk ka burime financiare për t’u modernizuar.
Në kushte të tilla reduktimi i shtetit
bëhet i arsyeshëm, pasi ai është realisht inefikas
dhe tejet i kushtueshëm për financat
tona. Ama ky reduktim është edhe burimi i
dështimit të mëtejshëm të shtetit, të cilit i
duhet të përballet me një realitet gjithnjë e
më kompleks ekonomik, financiar dhe legjislativ
me kapacitete dhe burime gjithnjë e më
të kufizuara. Në këto kushte natyrisht që shteti
do vazhdojë të dështojë gjithnjë e më
shumë, duke na bindur edhe më fortë se shteti
duhet reduktuar edhe më tej. Edhe pse
dështimi vjen nga fakti që shteti është mjaft i
vogël përballë problematikës shqiptare që
është mjaft e madhe. Kemi të bëjmë me një
rreth vicioz, ku mungesa e zhvillimit
ekonomik redukton dhe dobëson shtetin që
më pas pengon zhvillimin e ekonomisë. Prandaj
optimizmi dhe besimi tek kapacitetet e
shtetit kombinuar me një model të ri zhvillimi
mund të prodhojë nesër një shtet realisht
efikas që nxit zhvillimin ekonomik, duke
prodhuar një rreth virtuoz ku zhvillimi
ekonomik nxit rritjen dhe forcimin e shtetit
që nxit zhvillimin ekonomik.
Optimizmi në lidhje me natyrën njerëzore
kombinuar me optimizmin për natyrën e shtetit
mund të prodhojnë më shumë optimizëm
për vetë shoqërinë shqiptare dhe të
ardhmen e saj. Sot e majta shqiptare nuk të
frymëzon aspak, përkundrazi ajo reflekton
pesimizmin e përgjithshëm që ka kapur shoqërinë
shqiptare nën parullën “ky vend
s’bohet!” Më shumë se kudo kjo u duk te
fushata elektorale e Ramës, që refuzoi të
bënte premtime sipas logjikës se ai nuk
dëshironte të gënjente elektoratin duke i
premtuar gjëra që nuk arriheshin dot.
Ndonëse sinqeriteti i kësaj qasje mund të jetë
i admirueshëm në një terren ku politikanët
vetëm gënjejnë, logjika është sa apolitike aq
edhe trishtuese, pasi nënkupton se shumë
pak mund të bëhet realisht në Shqipëri.
Ndërkohë që është detyrë e politikanëve që
të frymëzojnë dhe t’i nxisin njerëzit drejt akteve
që ndoshta ata nuk i kishin menduar të
mundshme. Politika nuk mund të reduktohet
te pasqyrimi i realitetit, ajo duhet të jetë
edhe akti i themelimit të tij. Kjo do të thotë që
nëse ne sot nuk besojmë se Shqipëria nesër
do bëhet një vend i zhvilluar, atëherë shanset
janë që nesër realisht kjo mos të ndodhë. Pra,
realiteti nuk sendërzohet jashtë idesë që
kemi ne për të, prandaj edhe politika është
kaq e rëndësishme dhe nuk mund të jetë
thjesht një proces teknik, por është mbi të
gjitha vizion, besim, shpresë. Natyrisht
thjesht besimi nuk mjafton, suksesi i ideve
varet edhe nga kushtet materiale në të cilat
ato mbillen dhe strategjitë konkrete se si do
zbatohen. Ama materializmi marksist nuk
duhet të na pengojë të vlerësojmë fuqinë e
ideve si prodhuese të realitetit dhe jo thjesht
produkte të tij. Dhe ky është një funksion sa
fisnik aq edhe i rëndësishëm i politikës, ajoduhet të na frymëzojë, të na bëjë të ëndërrojmë
se një shoqëri më e mirë është e mundur.
Ky historikisht ka qenë një tipar themelor
i të majtës. Sot paradoksalisht, sikurse
me të drejtë e ka vërejtur Henri Çili, është
Berisha që na bën të ëndërrojmë. Ndërsa e
majta sot është reduktuar në një realizëm
teknokratik që na flet me detaje për çështje
teknike, duke na ofruar vizionin burokratik
të BE-së, që për momentin kulmon te
premtimi për emigracion, thënë ndryshe
heqje vizash.
Vetë e majta nuk beson sot se nesër Shqipëria
mund të jetë një vend i zhvilluar.
Është vështirë të gjesh sot një politikan majtas
që beson se pas 20 vitesh produktet
Made in Albania (high tec bie fjala) do të
konkurrojnë me sukses në tregjet globale.
Sot është vështirë të gjesh ndonjë politikan
të majtë që të besojë apo të mendojë se në
njëzet vitet e ardhshme firma të mëdha dhe
të suksesshme shqiptare do mund të investojnë
dhe zgjerohen në vendet fqinjë. Dhe
e gjitha kjo në emër të një realizmi që e riprodhon
realitetin e sotëm tek e nesërmja. Përballë
qëndron një Berishë që deklaron se
Shqipëria do bëhet superfuqi energjetike.
Natyrisht kjo mund të jetë e pavërtetë sot,
ndoshta e ekzagjeruar, me siguri edhe një
politikë e gabuar në raport me ambientin.
Por pyetja nuk shtrohet nëse kjo është e drejtë
ose e gabuar si politikë sot, por a është e
mundur qoftë edhe shumë nesër? Përse nuk
mundet të bëhet Shqipëria një superfuqi energjetike?
Mirë sot, po nesër, po pas 20, 30,
40 vitesh? Cili është ai mallkim që e pengon
Shqipërinë të arrijë diçka madhore qoftë edhe
për 40 vjet? Mund të mos jemi dakord me
vizionin e një Shqipërie superfuqi energjetike.
Me të drejtë vizioni i Berishës për një
Shqipëri industriale me fabrika çimento dhe
TEC-e mund të na duket i frikshëm. Ama
çështja shtrohet përballë këtij vizioni, cili
është vizioni zhvillimor i të majtës? A beson
kjo e majtë se një ditë Shqipëria mund të
bëhet vend i zhvilluar, apo roli i saj është
thjesht të na zgjojë nga ëndrrat e Berishës
për të na kujtuar se ato janë makthe. Kjo është
një situatë e rëndë për një të majtë që e
quan veten progresiste. Prandaj vizioni optimist
i progresit zhvillimor është tejet i
rëndësishëm jo vetëm për të krijuar një identitet
të majtë, por edhe për të krijuar një të
majtë që ngjall shpresë. Dilema e një politikani
nuk duhet të jetë o të thotë të vërtetën, o
të na bëjë të ëndërrojmë. Ajo që duhet synuar
është martesa e të dyjave, duke i kthyer ëndrrat
në realitet. Sot e majta nuk duhet ta shohë
politikën thjesht si artin e të mundshmes,
këtë detyrë le t’ia lërë teknokratëve të saj të
shumtë.
Natyrisht është e vështirë që një e majtë e
tillë të formësohet në Shqipëri. Rishikimi i procesit
të integrimit të Shqipërisë në BE tek ne
konsiderohet si një vetëvrasje politike. Të
gjithë politikanët tanë bërtasin në kor ‘BE, BE
gjithmonë aty na ke’, ashtu si dikur bërtisnin
‘Parti-Enver jemi gati kurdoherë’. Integrimi
është kthyer tashmë në një nga ato dogma që
është përqafuar aq fort, sa nuk arrijmë ta shohim
dot në sy. Nga ana tjetër modeli i zhvillimit
që ai ofron është mjaft i thjeshtë dhe intuitiv.
Ai thotë se Shqipëria do zhvillohet automatikisht,
mjafton të hapet ndaj tregtisë me
Europën dhe ta imitojë atë duke i marrë legjislacionin
që shteti shqiptar ka për detyrë ta
zbatojë me rigorozitet. Është një model që
sikurse me të drejtë e ka vërejtur Artan Fuga
vite më parë tek Shoqëria Periferike presupozon
një konvergjim naiv të ekonomisë sonë
me atë europiane thjesht si pasojë e hapjes.
Është një model që përputhet mirë me mentalitetin
tonë neokolonial, sipas të cilit ne jemi
të paaftë të zhvillohemi vetë dhe duhet të
shpresojmë që një ditë do na zhvillojë Europa.
Është edhe një model i rehatshëm, sepse
nuk kemi përse ta vrasim aspak mendjen se
si do zhvillohemi ndërkohë, përgjigjen e kanë
të gjithë në majë të gjuhës: integrimi në BE.
Ndaj një e majtë që e sheh në mënyrë kritike
procesin tonë të integrimit në BE dhe sidomos
modelin tonë të zhvillimit do të haste në
një rezistencë të tmerrshme.
Megjithatë sot e majta ka një shans historik,
pasi modeli ynë aktual i zhvillimit ka
arritur ose po arrin limitet e veta. Kriza që po
troket në dyert e Shqipërisë përveçse reflektim
i krizës globale do të nxjerrë në pah edhe
limitet e modelit aktual të zhvillimit. Natyrisht
që sot Shqipëria është më e zhvilluar se
dje. Megjithatë burimi i zhvillimit tonë më
shumë sesa nga modeli vetë ka ardhur nga
jashtë tij nëpërmjet eksportit tonë të krahut të
punës, eksport që si shumë nga eksportet tona
më të suksesshme shpesh është bërë në
mënyrë ilegale. Modeli i shtetit të tërhequr
përballë një tregu që vetëm zgjerohej ishte
ndoshta i detyrueshëm në fillim të viteve ‘90-
të, kur urrejtja ndaj shtetit kishte kulmuar në
akte vandalizmi, kapitali lokal ishte inekzistent
dhe shoqëria jonë po shpërbëhej. Në krizat
e thella të viteve ‘90-të një shtet zhvillimor që
bën politika afatgjata dhe proteksioniste, që
mbron kapitalin vendas dhe që legjitimitetin
e kërkon brenda dhe jo jashtë vetes, ishte
ndoshta i pamundur. Ama sot Shqipëria është
shumë më e zhvilluar dhe e stabilizuar se
në fillim të viteve 1990. Sot ne kemi burime
njerëzore shumë më të kualifikuara se dje,
edhe si pasojë e shkollimit jashtë, sot ekzistojnë
jo vetëm biznese të suksesshme vendase,
por shqiptarët kanë rreth 6 miliardë euro kursime
vetëm në sistemin bankar vendas, gjë që
ishte e paimagjinueshme dje. Prandaj sot
Shqipëria nuk ka përse të vazhdojë me të njëjtin
model zhvillimi si dje. Sot kur kriza po
troket në derë, ne jo vetëm kemi nevojë, por
edhe duhet të fillojmë të besojmë se Shqipëria
nuk do mbetet përjetësisht një vend në zhvillim.
Na duhet të besojmë se një ditë Shqipëria
do bëhet një vend i zhvilluar. Për këtë na duhet
një model alternativ zhvillimi, që sot më
shumë se kurrë mund ta ofrojë e majta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›