E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi, nesër afati i fundit për ish-pronarët

TIRANE- Nesër është afati i fundit për ish-pronarët që të mund të përfitojnë nga fondi, i caktuar prej Këshillit të Ministrave, për kompensimin gjatë vitit 2011.

Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond ka filluar më 28 mars dhe do të zgjasë 30 ditë kalendarike. Përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet.

Nga fondi i vitit 2011 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin, me të cilin aplikojnë. Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Masa e kompensimit është sipas një skeme të caktuar.

Kështu, për pronat e njohura për kompensim deri në 1.500 metra katrorë, masa e kompensimit është 200 m2; për ato 1.500-3.000 m2, masa e kompensimit është 300 m2; 3.000-5.000 m2, masa e kompensimit është 400 m2; 5.000-10.000 m2, masa e kompensimit është 500 m2 dhe për pronat e njohura për kompensim mbi 10.000 m2, masa e kompensimit është 600 m2. Subjekteve të shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk u kërkohet të paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2011.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›