E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rrugën Tiranë- Elbasan do e përfundoj mandatin tjetër

Share

Berisha ka gjetur me çfarë të krenohet në nëntor të këtij viti, shpreson se do përfundojë Tuneli i Krrabës për ta inauguruar në 100- vjetorin e Pavarësisë

Eh sa herë do shohim inaugurime në rrugën Tiranë- Elbasan. Kryeministri Sali Berisha ishte sërish sot atje për të bërë një inaugurim të nisjes së punimeve në trase. Ndërkohë po vijon puna në tunel, i cili ka entuziazmuar më shumë Berishën. Ai tha se tuneli do mbahet mend për mijëra vjet për shkak se është tuneli i 100-vjetorit të Pavarësisë. Pas pak javësh Berisha thotë se do shkojë aty për të shembur pjesën që do lidhë dy anët e galerisë.

Por kryeministri Sali Berisha tha se këtë rrugë do e përfundojë mandatin e tretë, edhe pse tha se vazhdimi i saj tregon fuqinë ekonomike të vendit.

Vazhdimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Korçë në Qafë-Plloç është dëshmi e kristaltë e forcës ekonomike të këtij vendi dhe është vetëpërgënjeshtrim i lotëve të krokodilit që kollagjerët derdhin për ditë, tha Berisha.

Ai shtoi se Shqipëria është një ndër vendet më të pasura në rajon dhe Europë.

Kryeministri tha se opozita duhet të vizitojë këtë rrugë.

Tunelin po e ndërton një firmë greke, AKTOR, e cila është ankuar për pagesat. Mësohet se tuneli do inaugurohet në nëntor të këtij viti, të paktën ky është qëllimi i Berishës, që të dhurojë këtë arritje për 100 vjetor.

Ndërkohë dy segmentet e tjera rrugorë, atë nga Sauku tek Tuneli i Krrabës (13 km) dhe nga Tuneli i Krrabës në Elbasan (11.7 km), do i ndërtojë firma greko- kuvajtiane JV Copri@AKTOR.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›