E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rrugët, firmat të punojnë me tre turne

Kryeministri tha se firmat duhet të detyrohen në kontratë që nga data 22 mars deri më 22 tetor të punojnë me tre turne, për punë publike
TIRANË- Qeveria shqiptare është duke menduar seriozisht të përcaktojë me ligj, që firmat e ndërtimit të punojnë edhe me tre turne, për rastet kur kemi të bëjnë me ndërtimin e veprave publike. Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, i ka kërkuar ministrit të Transporteve, Olldashi, që në fillim të vitit të ardhshëm të sjellë për miratim në qeveri aktin në fjalë, në të cilin të parashikohet zhvillimi i punës nga firmat e ndërtimit me tre turne, për periudhën 22 mars deri në 22 tetor. Këtë kërkesë, Kryeministri e argumentoi me nevojën për të përcaktuar të gjitha modalitetet e kontrollit ndaj firmave të ndërtimit. Po ashtu, sipas kreut të qeverisë, kjo kërkesë vjen edhe prej faktit se, mjaft kompani ndërtimi aplikojë në gati 17 tenderë, me të njëjtat dokumente dhe me 1/10 e kapaciteteve me të cilat duhet të përmbushin detyrimet. "Dua të sjell në vëmendjen tuaj, problemin shumë serioz me kompanitë e ndërtimit, disa prej të cilave vrapojnë për të fituar 10 tenderë me të njëjtat dokumente dhe me 1/10 e kapaciteteve me të cilat duhet të përmbushin detyrimet. Të përcaktohen të gjitha modalitetet e kontrollit, para se të nënshkruhet kontrata, sikundër të detyrohen në kontratë që nga data 22 mars deri më 22 tetor të punojnë me tre turne, në rast se duan të aplikojnë për punë publike. Ne, për të ndihmuar kompanitë shqiptare, rritëm vlerën e kontraktuar nga 1 milionë apo 2 milionë në 10 milionë, por ka prej tyre që duan të marrin pjesë në 5 tenderë njëkohësisht, në një kohë kur nuk kanë potencial as për njërin prej tyre",- është shprehur dje Kryeministri. Duke bërë të ditur paraprakisht synimin e qeverisë që kompanitë e ndërtimit për periudhën 22 mars -22 tetor të punojnë me tre turne, kryeministri Berisha pohoi se, një gjë e tillë do të kërkojë që kompanitë e ndërtimit të punësojnë më shumë punëtorë, por tha se, këto do të jenë kushtet që do të vendosë qeveria. Kjo periudhë tre turnesh, tha Kryeministri, mund të ndryshohet vetëm me vendim qeverisë, në rast se kushtet e jashtëzakonshme të motit do të bëhen pengesë. "Por, duke filluar më datën 22 mars, kontrollorët e autoritetit kontraktues do të kontrollojnë të gjitha punimet në rrugë dhe në vepra publike",- vijoi më tej kreu i qeverisë, duke i kërkuar ministrit Sokol Olldashi që të sjellë me urgjencë nismën në qeveri vitin e ardhshëm.
Shoqata e Ndërtuesve kërkon vendosjen e dialogut me qeverinë
Shoqata e Ndërtimit: S'ka drita për punimet
TIRANË- Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar menjëherë dje ndaj deklarimit publik të kryeministrit Berisha, se firmat e ndërtimit duhet të punojnë edhe me tre turne, duke shprehur rezervat përkatëse për këtë deklaratë. Por, ajo më kryesorja është mungesa e infrastrukturës së nevojshme për të punuar natën, duke qenë se në zonat ku ndërtohen rrugët, energjia elektrike mungon nga ora 24 e mbrëmjes deri në orën 8 të mëngjesit. "Mungon një infrastrukturë e nevojshme për të punuar natën, për shkak se në zonat ku ndërtohen rrugët energjia, elektrike mungon nga ora 24 deri në 8 të mëngjesit",- është shprehur dje zëdhënësi i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija. Ndërkohë, duke iu referuar në tërësi fjalës së kryeministrit Berisha, Shoqata e Ndërtuesve e ka konsideruar atë si një reagim në distancë të kërkesave të dërguara prej muajsh prej saj. Në këtë kuadër, ndërtuesit i rikujtojnë kryeministrit Berisha se ata janë ende në pritje të një tavoline bisedimesh, për të shkrirë marrëdhëniet e ngrira në mënyrë artificiale, jo nga ana e tyre. "Nuk jemi ne që po vonojmë realizimin e investimeve, por janë procedurat e pafundme që nuk lejojnë të vazhdojmë, duke filluar nga dokumentacioni i ngarkuar, deri tek mospagesat në afate për punimet e kryera. Jemi dakord me fjalën e Kryeministrit përsa i përket firmave fantazëm, të cilat me mashtrime në tenderë të dyshimtë po lënë pa punë firmat serioze dhe mjaft të fuqishme që kanë ndërtuar vendin në këto 17 vite. Prandaj, kërkojmë vendosjen e dialogut të munguar mes palëve",- është shprehur dje zëdhënësi i Shoqatës së Ndërtuesve. Nga ana tjetër, ai ka theksuar se, kapacitet e ndërtuesve janë të konfirmuara dhe ata janë plotësisht të aftë të thithin fondet dhe t'i vënë ato në punë. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, nëse ka punë, janë vetë firmat që janë të interesuara të shtojnë ritmin e punimeve, për të përfunduar brenda afateve ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›