SHBA: Të kufizohet imuniteti i drejtuesve
Shefja e OPDAT, tha se lufta kundër korrupsionit kërkon njerëz që të shkojnë në burg
TIRANË- Faktori ndërkombëtar që monitoron forcimin e institucioneve shqiptare drejt një demokracie të qëndrueshme, kërkon nga shteti shqiptar një efikasitet më të madh në luftën kundër korrupsionit. I ftuar në tryezën që u zhvillua dje me nismën e kreut të shtetit, Bamir Topi, për reformën në sistemin e drejtësisë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, si dhe të misioneve që asistojnë reformimin e institucioneve shqiptare, kanë vënë theksin se është koha për arritje konkrete në luftën kundër korrupsionit. Kështu, shefja e OPDAT (Misioni i Departamentit Amerikan të Drejtësisë për Asistencën në Prokurori) në Shqipëri, Mesila Shrebman duke përshëndetur në këtë takim, ka ripërsëritur edhe një herë nevojën për rezultate konkrete të dënimit të njerëzve që favorizojnë apo bëjnë korrupsion në dem të interesit publik. Sipas saj, lufta kundër korrupsionit, përveç angazhimit publik, kërkon që këta njerëz të shkojnë përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar. "Të gjithë flasin për korrupsionin dhe luftën kundër tij. Por mendoj se është e rëndësishme që të shohim efikasitetin në këtë drejtim. Për këtë arsye, theksojmë se lufta kundër korrupsionit kërkon njerëz që të shkojnë në burg",- u shpreh Mesila Shrebman në fjalën e saj. Një nga mënyrat për të frenuar këtë fenomen, sipas saj, është dhe kufizimi apo heqja e imunitetit të zyrtarëve apo shtetarëve të lartë, të cilët shpeshherë janë të pa hetueshëm për aktivitetin e tyre. "Një nga mundësitë për të rritur efikasitetin në këtë drejtim, është dhe kufizimi i imunitetit të drejtuesve të lartë për t'i bërë ata të hutueshëm, për çdo rast akuze apo dyshimi për abuzim. Prandaj ne e mbështesim një gjë të tillë",- theksoi Shrebman. Ndërkohë që Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, duke evidentuar se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për të sjellë efikasitet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është shprehur se është nevoja për të bërë ligje të qëndrueshme, të pranuara nga të gjithë faktorët.