E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në gjyqësor, Ngjela: Të hetohet edhe kryeministri

"Gjykatë me personalitet do të thotë të hapësh proçes penal kundër kryeministrit"
TIRANË- Avokat Spartak Ngjela është i mendimit se, reforma në sistemin gjyqësor duhet parë edhe në aspektin e hetimit të ministrave, deri edhe tek Kryeministri. Duke folur gjatë tryezës së djeshme, avokat Ngjela ka vënë theksin se, pushteti gjyqësor në vendin tonë nuk ka personalitet, nuk është funksional, pasi deri më sot nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë shpëtuar trazirat në Shqipëri dhe se të gjitha përplasjet e mëdha kanë ardhur për faktin se, pushtetit gjyqësor i mungon personaliteti. "Gjykatë me personalitet do të thotë të hapësh proçes penal kundër kryeministrit. Sa kryeministra dhe ministra ka me proces penal sot ndërkohë që themi se ka korrupsion, që kemi përplasje. Të gjithë kryeministrat e demokracive liberale janë me proces penal, që do të thotë se demokracia funksion normalisht, do të thotë se politika nuk e ka mundur dot Gjykatën. Në Shqipëri nuk mund të flitet se kemi pushtet gjyqësor të pavarur",- është shprehur Ngjela, duke bërë thirrje që ti jepet pushtetit gjyqësor pavarësia për të gjykuar të gjithë. Në këtë drejtim, ai kërkoi nga Presidenti Bamir Topi që t'i japë personalitet gjykatës dhe prokurorisë, pasi në Shqipëri nuk ka asnjë palë zgjedhje të lira, por nuk ka as prokurori, çka, sipas tij do të thotë se, janë manipuluar zgjedhjet dhe nuk ka asnjë të akuzuar. "Duhet drejtësi për çdo shkelje. Pra, kjo është reformë në drejtësi, që të krijojmë sistem. Ne nuk na funksionon parlamenti pasi nuk ka procedurializëm. Kemi një kontraditë të madhe midis të drejtës dhe ligjit. E drejta është ende sovjetike ndërsa ligjet janë të implementuara nga perëndimi. Çdo mazhorancë që vjen në pushtet kërkon të pushtojë sistemin legal. Dy vjet betejë për të kapur sistemin. Zoti President, jepini forcë sistemit gjyqësor për të shpëtuar demokracinë",- tha Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›