Statusi i Kosovës, Kuvajti pro pavarësisë
TIRANË- Kuvajti mbështet pavarësinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është konfirmuar dje nga Kryeministri i këtij vendi, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jabar Al Sabah, pas takimit që zhvilloi dje në Tiranë me kryeministrin Sali Berisha. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ndërsa është pyetur nga mediat shqiptare për qëndrimin e Kuvajtit lidhur me statusin final të Kosovës, Kryeministri Al Sabah tha se, vota e Kuvajtit në Konferencën Islamike do të jetë pozitive. "Ne kemi diskutuar për këtë çështje. Ajo është ende duke u diskutuar në Këshillin e Sigurimit dhe shpresojmë të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme. Kur të mbërrijë në Organizatën e Konferencës Islamike vota jonë do të jetë pozitive", -tha ai. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Al Sabah premtoi rritjen e investimeve të Kuvajtit në Shqipëri, ai ato shtetërore, ashtu edhe ato private, vlerësoi marrëveshjen e nënshkruara më palën shqiptare dhe tha se, të gjitha takimet që do të zhvillohet do të jenë të frytshme. "Kur janë garancitë kushtetuese për investimet e huaja, do të shikoni se investitorët kuvajtianë do të jenë në Shqipëri",- është shprehur ai. Nga ana e tij, kryeministri Berisha, siguroi investitorët kuvajtianë se kanë mbrojtje të plotë kushtetuese dhe ligjore në Shqipëri për investimet e tyre, dhe përmendi se, që nga 1 janari, vendi ynë do të ketë barrën fiskale më të ulët në Evropë. "Ka legjislacion shumë të mirë dhe ajo ç'ka është më e rëndësishme, ne në 1 janar do të jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë", u shpreh Berisha, ndërsa vlerësoi se, marrëveshjet e nënshkruar dje mes dy vendeve përbëjnë një bazë të fuqishme ligjore në zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat.