Nepotizmi, Spahia: Jo më "dashnorë" në një gjykatë
Nënkryetari i KLD flet për shmangien e nepotizmit dhe debatin për hapjen ose jo të dosjeve të gjyqtarëve
TIRANË- Mund të duket paksa absurde, por është një nismë e cila shumë shpejt mund të kthehet në një realitet Në përpjekje për të luftuar nepotizmin në sistemin e drejtësisë, gjyqtarët shqiptarë, në një të ardhme të afërt, nuk do të mund të punojnë më në të njëjtin vend me bashkëshortin/ bashkëshorten apo të dashurin/dashurën. Kjo është pjesë e një projekti që Këshilli i Lartë i Drejtësisë propozon në kuadër të reformës në drejtësi. Nënkryetari i sapozgjedhur i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahia, duke folur dje gjatë tryezës për reformën në fjalë, ka evidentuar se një nga problemet me të cilat përballet sot sistemi i drejtësisë, është edhe ai i nepotizmit apo i konfliktit të interesave. Duke e konsideruar këtë si një çështje që kërkon zgjidhje, ai i ka prurë në vëmendjen e të pranishmëve, kryesisht drejtues të lartë të këtij sistemi, se një zgjidhje e mundshme që mund të aplikohet është edhe ajo e marrjes shembull nga sistemet e vendeve me demokraci të zhvilluar, ku nuk lejohen që të punojnë në një gjykatë, bashkëshortët apo të dashuruarit. Megjithëse nuk ka dhënë zgjidhje se si mund të evidentoheshin këta të fundit në sistemin e drejtësisë, Spahia ka theksuar se, është e nevojshme që një praktikë e tillë të mund të aplikohet edhe në vendin tonë. "Kemi shumë çifte, shumë të martuar brenda sistemit, brenda një gjykate. Është e përshtatshme, apo jo? A konsiderohet nepotizëm, apo jo? A konsiderohet konflikt interesi, apo jo? Ka shumë sisteme që jo vetëm ata që janë të martuar, por edhe ata që janë të dashuruar në bashkëjetesë nuk u krijojnë mundësinë që të jenë pjesë e gjyqësorit",- u shpreh Spahia gjatë fjalës së tij, ku dhe parashtroi disa nga momentet ku dhe duhet të përqendrohet reforma në drejtësi. Ai ka deklaruar gjithashtu se duhet diskutuar edhe hapja ose jo e dosjeve për gjyqtarët, në kuadër të diskutimi për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit. "Hapja e dosjeve të ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit. A duhet që edhe gjyqtarëve t'u hapen dosjet, apo jo? Këtë unë nuk mund ta përcaktoj, por kjo duhet diskutuar",- tha ai. Gjithashtu një moment tjetër tepër i rëndësishëm, sipas tij, është edhe lufta kundër korrupsionit. Kjo sipas nënkryetarit të KLD-së, mund të bëhet edhe duke rishikuar trajtimin financiar të punonjësve të këtij sistemi. "Një gjyqtar i shkallës së parë në rrethe merr 600 euro. Shumica e këtyre gjyqtarëve janë të transferuar nga rrethet e tyre dhe janë të detyruar të jetojnë me qira. Atëherë duke pasur parasysh këto shpenzime, a mund t'i dalin këto para atij dhe familjes së tij, qoftë edhe për patatina, për kokoshka dhe jo më për ushqime. Kjo çon që ata të shkojnë të ushqehen me benefite të tjera. Kjo duhet parë me seriozitet, për të shmangur atë që quhet korrupsion", - u shpreh Spahia. Ndërkohë, nga ana tjetër, për të rritur efikasitetin e këtij sistemi në procese gjyqësore të shkurtra, Spahia ka theksuar se duhet të gjetur mekanizma që të frenojnë shtyrjen e seancave gjyqësore në pafundësi. Kjo për Spahinë mund të bëhet edhe duke vendosur me ligj një sistem takse, për çdo rast shtyrjeje të një procesi. "Shkaqet e arsyeshme kanë sjellë dhe zvarritjen e çështjeve deri në 2 vjet. Prandaj, mendoj se ka ardhur koha që të fusim taksën si në sistemet perëndimore, pra në qoftë se ti, qoftë edhe për një shkak të arsyeshëm, duhet të paguash 500 euro për çdo vonesë. Pra duhet të paguar një faturë, sa herë që ti çon një raport për mosparaqitjen në sallë. Trupi gjykues ka një kosto e cila duhet të paguhet në arkën e shtetin. Kjo është një çështje që duhet zgjidhur me ligj",- u shpreh Spahia. Ai ka theksuar gjithashtu se KLD do të hapet për popullin, si "Dialogu me Shqipërinë".