Shehri: Si u përgjua vëllai i Rusmalit
Prokuroria e Tiranës kërkon dëshmitë e ish-ministrit të Drejtësisë dhe vëllait të tij për kasetën e përgjimit
TIRANË- Përgjimi për tenderin e paraburgimit në Durrës pritet të çojë në prokurori ish-ministrin e Drejtësisë, Ilir Rusmali dhe vëllanë e tij. Burime nga Prokuroria e Tiranës bënë me dije dje për "Shekullin" se pasi kanë marrë në pyetje Zija Teferiçin dhe ish-kreun e Burgjeve, Sajmir Shehrin, janë bërë gati fletë-thirrjet për Ilir dhe Edmond Rusmalin, të cilët do të sqarojnë pozicionin e tyre në lidhje me bisedën e përgjuar. Megjithëse një hetim i nisur pas denoncimeve publike, hetimi i përgjimit të Edmond Rusmalit duket se po merr nota serioze, sidomos pas dëshmive të dy ish-titullarëve të Burgjeve. Si Zija Teferiçi ashtu edhe Sajmir Shehri kanë konfirmuar ndërhyrjen e vëllait të Rusmalit, për t'u favorizuar në tender, kërkesë e paplotësuar kjo që u pasua me shkarkimin e kreut të Policisë së Burgjeve.
Pas Teferiçit, grupi hetimor në zyrën e antikrimit ekonomik ka kërkuar dëshminë e denoncuesit të këtij skandali, ish-drejtorit të Burgjeve, Sajmir Shehri. Dhjetë ditë më parë, Shehri i është përgjigjur thirrjes së prokurorisë, për të dëshmuar gjithçka di mbi kasetën e përgjimit. "Unë jam vënë në dijeni për presionin që ushtronte vëllai i ministrit, ndërsa biseda është regjistruar në zyrën e Zija Teferiçit. Kasetën e kam siguruar nga ish-vartësi im, Zija Teferiçi, i cili është edhe personi që ka regjistruar bisedën",-mësohet të ketë thënë Shehri në prokurori. Megjithëse ish-kreu i Policisë së Burgjeve ka mohuar të kishte gisht në regjistrimin e bisedës, ka qenë Shehri ai që ka pohuar se bisedën e kishte regjistruar Teferiçi. Ndërkohë, nga burimet pranë institucionit të akuzës konfirmohet se thirrja e tij për të dhënë shpjegime është bërë në cilësinë e personit që ka dijeni dhe fakte për ngjarjen.
"Pas dërgesës së fletë- thirrjes nga ana e organit të akuzës, në drejtim të shtetasit Sajmir Shehri, me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, ai ka shprehur gatishmërinë duke ardhur në prokurori dhe dukedhënë deklarimin e tij për çështjen",-thuhet nga prokuroria. Sipas këtyre burimeve, Shehri ka pranuar të dëshmojë në lidhje me regjistrimin e bisedës, duke pranuar që kjo bisedë është e vërtetë dhe është bërë dhe regjistruar në zyrën e ish-vartësit të tij Zija Teferiçit që ndodhet në katin e dytë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Shehri është i dyti dëshmitar i Prokurorisë, që është marrë në pyetje në lidhje me kasetën e përgjimit, të bërë publike gjatë dorëheqjes së tij. Ka qenë publikimi i kësaj kasete, që solli edhe dorëheqjen e Rusmalit nga posti i ministrit të Drejtësisë.
Si u larguan Zija Teferiçi, Saimir Shehri dhe Ilir Rusmali nga postet që mbanin
Dorëheqjet për përgjimin, Burgjet mbeten ende pa drejtor
TIRANË- Zija Teferiçi, përveçse kreu i Policisë së Burgjeve,kishte edhe detyrën e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Sipas dëshmisë së tij, vëllai i ish-ministrit Rusmali, Edmondi, i kishte kërkuar një takim, i cili u organizua në zyrë. Gjatë bisedës mes tyre, Edmond Rusmali kërkoi favorizimin e një firme për tenderin e paraburgimit në Durrës, por mungesa e një premtimi nga Teferiçi solli edhe shkarkimin e këtij të fundit nga detyra. Në lidhje me provat e tjera për këtë çështje, organi i akuzës njoftoi se janë administruar në dosje, përveç bisedës së përgjuar edhe dy dëshmitë e ish-zyrtarëve të Burgjeve, të cilët bënë edhe regjistrimin e bisedës në një kasetë. Kjo kasetë e përgjuar shkaktoi edhe tronditjen më të madhe në sistemin e Drejtësisë. Vetëm disa ditë më parë, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Sajmir Shehri, dha dorëheqjen, duke e akuzuar ministrin Rusmali se familjarë të tij kishin bërë presion për të përfituar në tenderat. Në një konferencë për shtyp, Shehri shpërndau edhe disa CD me bisedën e përgjuar mes ish-vartësit të tij, Teferiçi dhe vëllait të ministrit Rusmali. Një ditë pas publikimit të kasetës, ministri Ilir Rusmali dha dorëheqjen, çka u pranua më pas nga kryeministri Berisha. Pas dorëheqjes, kreu i qeverisë zëvendësoi Rusmalin me Enkelejd Alibeajn, ndërkohë që ky i fundit po shqyrton një listë emrash për kreun e burgjeve.
PRESIONI
Biseda e përgjimit që solli "furtunë" në drejtësi
BISEDA E PLOTË/ Ndërhyrja për tenderin e ndërtimit të paraburgimit në Durrës
Biseda e përgjuar mes Zija Teferiçit dhe Edmond Rusmalit
E.Rusmali: Tani që të hyj direkt në temë. Unë erdha për një bisedë këtu realisht.
Teferici: Po?
E.Rusmali: Mund të flas…Na intereson për këtë tenderin e firmës që kemi ne.
Teferici: Për kë? Për tenderin e Durrësit?
E.Rusmali: Po, të Durrësit.
Teferici: Jam te komisioni, bile këtë po shikoja për të ngritur komisionin.
E.Rusmali: Po ja, thashë të interesoheshe. Ka vajtur një miku tim që ka një firmë që plotëson të gjitha kushtet.
Teferici: Kush është miku yt?
E.Rusmali: Firma "Lika"sh.p.k
Teferici: Që të jem i sinqertë fare, është një tender
E.Rusmali: Unë dua që nëse plotëson të gjitha kushtet dhe ka bazë ligjore, nuk mund të ketë një çikë preferencë? Këtë dua unë. Nuk dua që të them se është Mondi aty që i plotëson kushtet dhe t'i themi Mondit, ik ti se do e marrë ky.
Teferiçi: Një gjë të garantoj unë, hakun s'ia ha njeriu. Kam 20 e ca vite që punoj dhe gjithandej, nuk di që jo t'i kem ngrënë hakun, por të jetë ankuar njeri. Dhe të garantoj me siguri…
E.Rusmali: Nuk e diskutoj këtë punë, problemi është se hyn firma ..., kjo më shqetëson. Ja ikën dy vjet dhe nuk po arrijmë të punojmë.
Teferici: Ç'të të them. Unë kam qenë kryetar tenderash dhe nuk di të kem pasur ndonjë kontestim. Jam i prirur të fitojë ai që i takon.
E.Rusmali: Ok. Në rregull dhe unë po të them se prej tre vitesh gëzon një rol, nuk është një firmë kështu, është goxha eksperiencë.
Teferici: Nuk mund të të them nëse fiton ose nuk fiton. Ka një komision, le të vijë të marrë pjesë në tender, hakun s'ia ha kërkush. Çfarë të thotë Zijaji.
E.Rusmali: Për një fije preferencë, në rast se është midis dy të barabartëve të zgjidhet kjo firmë.
Teferici: Vendimi është i një komisioni, që t'ia hajë këtij dhe t'ia japë një tjetri s'e bëj dot. Janë të gjithë specialistë.
E.Rusmali: As unë se kërkoj. Vetëm dua një vëmendje më të madhe, në raport me këta të tjerat.
Teferiçi: Në drejtim të drejtësisë, padiskutim që vëmendja është e madhe, pa më ndërhyrë njeri. Është ndryshe ku e ke diçka taten, është ndryshe kjo. Është tender i hapur.
E.Rusmali: Unë nuk dua padrejtësi, por ndërmjet atyre të barabartëve, të ketë preferencë kjo, kaq dua unë. Mua më gjeni në kushte të barabarta, kush do ta marri, Mondi apo Zijaji. Do ta marri Mondi, sepse ka…
Teferici: Të kuptova