E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi kundër PD: Sondazhet popullore, busull për shtetin

Presidenti Bamir Topi flet për bashkëpunim mes forcave politike
TIRANË- Pavarësisht prirjes së ekzekutivit për ta konsideruar si jorealist Raportin e "Transparency International" për nivelin e korrupsionit në institucionet shqiptare, kreu i shtetit Bamir Topi bën thirrje që rezultatet e tij të merren parasysh nga instancat shtetërore. Në një ambient ku mbizotëronin kryesisht përfaqësues të fushës së drejtësisë, nga dhe varet lufta kundër kurrupsionit, Presidenti i Republikës ka theksuar se rezultatet e sondazheve popullore duhet të jenë një busull orientimi, për atë që duhet të bëjë shteti në këtë drejtim. Duke evidentuar faktin për një reformë efikase, Topi ka theksuar se, kjo nuk do të thotë që deri më tani nuk ka pasur sistem drejtësie. Sipas tij, askush nuk mund të bëjë "autogol" duke u shprehur se në 17 vite, "ne nuk kemi punuar të gjithë së bashku, juristë, politikanë, përfaqësues të medias, të cilët kanë bërë të mundur që të gjitha këto probleme të dalin përpara njerëzve, pra ta bëjnë publik këtë debat". "Është bërë goxha punë, por natyrisht ka mjaft probleme. Duhet të realizojmë atë kombinacionin fitues, që kjo reformë më së fundi të vijë dhe të elaborohet hap pas hapi në mënyrë që institucionet të dalin nga kjo gjendje ku etiketohen të korruptuara, ku edhe sondazhet qytetare duhet të merren në konsideratë dhe, nga ana tjetër, ajo ç'ka është më e rëndësishme, të dalin nga fokusi i sulmeve politike",- u shpreh Topi. Për të qenë rezultativ në këtë nismë reformuese, Presidenti ka bërë të ditur se është e nevojshme një alternim i përvojës juridike me atë politike. Sipas tij, askush nuk mund ta mohoj rëndësinë e faktorit politik në këtë drejtim. Në një ambient të përbërë kryesisht me përfaqësues të fushës juridike dhe politike, ku opozita ishte përfaqësuar në mënyrë të kufizuar (opozita ishte përfaqësuar nga Pëllumb Xhufin nga LSI, Neritan Ceka nga PAD, Ylli Manjani dhe Saimir Tahiri nga PS) presidenti Topi ka theksuar se duhet të synohet një bashkëpunim me të gjithë faktorët politikë, juridikë dhe parlamentarë. "Asgjë nuk mund të realizohet në një terren qoftë ky edhe tërësisht profesional, sepse ka nevojë të lidhet me institucionet, të lidhet me politikën që duhet të jetë prodhojnë institucionet. Nuk duhet ta gjykojmë këtë lloj atmosfere thjesht me pesimizëm, sepse ka elementë thelbësorë që japin shanse që të rigjenerojmë këtë sistem pikërisht nga brenda, në bashkëpunim me forcat e vullnetshme në Parlamentin shqiptar", - theksoi kreu i shtetit. Tryeza e djeshme është e para në llojin e vet dhe pritet të zhvillohet edhe në rrethe të ndryshme të vendit, ku do të vijojnë të japin mendimet e tyre specialistë të fushës së drejtësisë, në mënyrë që në Kuvend të paraqitet një projekt i plotë për t'u miratuar.
Xhufi: Topi na preu në besë
TIRANË- Megjithëse ka respektuar ftesën e kreut të shtetit për pjesëmarrje në këtë tryezë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka gjetur rastin që t'i bëjë të qartë mazhorancës qeverisëse se shkarkimi i kryeprokurorit Theodhori Sollaku është një moment që pengon bashkëpunimin pozitë-opozitë, për reformën në drejtësi. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili përfaqësoi këtë forcë në tryezën e djeshme, ka bërë të qartë se shkarkimi i Kryeprokurorit ishte një pabesi që Presidenti i Republikës i bëri opozitës. "Konsensusi i arritur në tryezën e Presidentit para disa muajve për fat të keq, dhe këtë duhet ta them, u pasua nga një proces paralel me këtë proces të shëndetshëm i cili çoi në një vendim me shumicë në Kuvend, me shkarkimin e Kryeprokurorit nga Presidenti. Pra, u thye konsensusi dhe u thye dhe klima e mirëbesimit",- u shpreh Xhufi. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj reforme, ashtu si edhe atë në sistemin zgjedhor, numri dy i LSI-së ka theksuar se përpara se të nisë puna konkrete për to, duhet që mazhoranca të rikuperojë këtë moment. "Këto dy mjete duhet të rindërtohen përpara se të fillohet një reformë kaq e rëndësishme. Këto zbulojnë dhe dimensionin politik të reformës, pavarësisht teknicialiteteve. Besoj se reforma duhet të vendosë shtetin ligjor dhe të sigurojë pavarësinë e institucioneve. Ne duhet të bëjmë ligje afatgjata",- pohoi Xhufi, në fjalën e tij.
Ina Rama: Të kufizohet mandati i prokurorit
TIRANË- Reforma duhet të prekë edhe institucionin e akuzës. Kryeprokurorja e sapoemëruar Ina Rama duke marrë fjalën gjatë takimit të djeshëm, është shprehur se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të përfshijë dhe institucionin e Prokurorisë. Për këtë ajo ka theksuar se, është e nevojshme që për reformën në prokurori duhet të ketë dhe një shprehje të qartë politike. Kjo sidomos për disa nga çështjet kryesore të kësaj reforme, siç është ajo për kufizimin e mandatit të Kryeprokurorit. Duke u shprehur pro një kufizimi të tillë, Rama ka theksuar se për këtë duhet të shprehet edhe politika. "Unë do të thosha që kjo çështje duhet të zgjidhet politikisht, duhet të ketë një vullnet politik, të qartë, nëse ajo do të bashkëngjitet sistemit të ekzekutivit apo do të jetë pjesë integrale e gjyqësorit. Të gjitha alternativat duhet të diskutohen në një nivel qartësisht politik. Objekt i reformës duhet të jetë dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm. Mendimi im personal është për një mandat të kufizuar, ashtu si gjithë mandatet e tjera kushtetuese",- u shpreh kryeprokurorja Ina Rama. Ndër çështjet e tjera të cilave kjo reformë duhet t'u japë zgjidhje, sipas Kryeprokurores, janë dhe një koordinim më i mirë i dispozitave ligjore që rregullojnë funksionimin e prokurorisë, sidomos në raport me Policinë Gjyqësore. Gjithashtu, reformimi duhet të përfshijë dhe riorganizimin e vetë strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›