Berisha: Të merren të gjitha masat për një sezon turistik nga më të mirët
"I gjithë potenciali i qeverisë duhet të përqëndrohet drejt një sezoni turistik nga më të mirët që ka patur vendi", u shpreh të martën Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave. Z. Berisha kërkoi angazhimin e plotë të të gjitha ministrive për realizimin e këtij objektivi.
"Ne kemi një zotim në të cilën angazhohemi për të bërë të gjitha përpjekjet, që ky sezon të shënojë një nivel të ri shërbimesh, para së gjithash ndaj turizmit, turistëve dhe një nivel të ri fluksi turistik.", theksoi kryeministri. Ai vlerësoi punën serioze të bërë deri tani nga Ministria e Turizmit për guidën turistike të vendit, të cilën brenda muajit shkurt duhet ta përfundojë dhe të nisë shpërndarjen e saj.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që të organizohen një seri aktivitetesh jashtë vendit, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, por edhe në vendet e tjera dhe të shihen mundësitë e turizmit familjar dhe të kredive për zona të caktuara turistike, në mënyrë që të presin sa më mirë dhe sa më shumë turistë. Ai siguroi edhe njëherë se zotimi i qeverisë që të ketë 24 orë drita në qytete turistike të vendit "nuk do të ketë koment", duke theksuar se KESH duhet të marrë të gjitha masat, lidhje dhe transformatorë, importe, prodhim dhe çfarë i duhet. "Që nga Velipoja e deri në Ksamil nuk mund të ketë mungesë dritash gjatë sezonit turistik. Ministria e Punëve Publike me shpejtësi të madhe të zbatojë të gjitha ndërhyrjet për ujësjellësat e zonave turistike nga Velipoja në Ksamil, duke mos harruar në asnjë rast dhe rrethanë, Pogradecin dhe qendra të tjera", tha kryeministri Berisha.
Z. Berisha nënvizoi se Grupe të caktuara duhet të përqëndrohen për të bërë të gjitha ndërhyrjet e mundshme të sigurimit të furnizimit me ujë në kuotat maksimale të mundshme në këto zona. Objekti është; fundi i 2006 këto zona duhet të kenë ujë 24 orë. Por do të ishte në interes të madh që edhe ky prag vere t'i gjente këto qytete, këto zona turistike, pa probleme të furnizimit me ujë, theksoi ai..
Po ashtu, kryeministri tha se Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit duhet të angazhohen në të gjithë potencialet e tyre për një mjedis të shëndetshëm, për një organizim të përsosur të shërbimeve, por mbi të gjitha për masat më emergjente që mund të marrim dhe duhet të marrim për pastërtinë e ujrave. Është shumë e dosdoshme një angazhim i Ministrisë së Brendshme për të patur një plan të vecantë për të gjitha shërbimet ndaj tyre.
Z. Berisha kërkoi nga Ministria e Turizmit që të organizohen të gjitha mundësitë e shëtitjeve ditore të turistëve me çmime simbolike, duke përmendur këtu psh. organizimin e turistëve të Durrësit për të vizituar Beratin, Apollinë, apo qendra të tjera.
"Turizmi këtë vit duhet të njohë dimensione shumë më të mëdha, por para së gjithash qetësi, cilësi shërbimesh, pakrahasimisht më të mira. Të hiqen gardhet e plazheve private e të tjera marrëzira që nuk ekzistojnë askund tjetër, veçse në vende imagjinare. Të merren të gjitha masat për pastrimin e mjedisit, për një ambjent të shëndetshëm", u shpreh kryeministri Berisha.