E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i dërgon një mesazh ngushëllimi kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi dhe familjes së Presidentit Ibrahim Rugova

Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar të shtunën një mesazh ngushëllimi kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi dhe familjes së Presidentit Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë sot në mesditë. Në mesazhin e tij, z.Berisha shkruan:

"Me dhimbje të thellë, zi të rëndë, pikëllim të madh, mësova lajmin shokues të ndarjes nga jeta të prijësit dhe legjendës së qëndresës qytetare, misionarit të madh të paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, burrit dhe intelektualit të shquar të kombit, bashkëshortit dhe prindit tuaj të shkëlqyer, mikut tim të dashur, Presdientit Ibrahim Rugova.

Doktor Ibrahim Rugova, ky David i shqiptarëve udhëhoqi për dy dekada me vendosmëri, përkushtim, mençuri dhe guxim përpjekjen e madhe të qytetarëve të shtypur të Kosovës për liri. Ai themeloi në Ballkanin e diktaturave totalitare Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë antikomuniste dhe u shndërrua në simbolin e mishërimit të aspiratave, shpresave, ndjenjave dhe idealeve më fisnike të popullit të tij.

Dr.Ibrahim Rugova u nda sot nga të gjithë ata që e deshën dhe e respektuan aq shumë, por jeta, shpirti, vepra e tij shndërrohen në dritë frymëzimi dhe thirrje të fuqishme për qytetarët e Kosovës, për të vazhduar të bashkuar veprën e tij të ndritur për të çuar përpara Kosovën si një shoqëri demokratike të lirë, të pavarur, të integruar në BE dhe NATO.

Në emër të qeverisë shqiptare, ju shpreh ju, zoti kryeministër, qeverisë suaj, bashkëshortes, fëmijëve të Presidentit Rugova dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, ngushëllimet më të sinqerta, ndaj me ju dhimbjen dhe zinë, lutem me ju që shpirti i tij i madh të gjejë paqen e merituar dhe të frymëzojë qytetarët e Kosovës për bashkimin në realizimin e plotë të veprës së tij të madhe, Kosovës të pavarur europiane të ndërtuar mbi paqen, tolerancën, bashkëjetesën e qytetarëve të barabartë para ligjit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›