Z.Berisha: Ky vit shënon fillimin e projekteve të mëdha infrastrukturore
Viti 2006 është viti i projekteve të mëdha infrastrukturore. Këtë vlerësim, kryeministri Sali Berisha e bëri të shtunën, gjatë përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e segmentin rrugor Lushnje-Fier, një nga arteriet kryesore Korridorit të 8-të paneruropian dhe të atij kombëtar veri-jug. Rruga, e projektuar sipas standarteve europiane, është financim i qeverisë italiane prej 17.5 milion euro dhe ka një gjatësi 22 km e gjërësi 22 metra. Në ceremoninë e përurimit të punimeve ishte i pranishëm edhe ambasadori itallian në Tiranë, Attilio Massimo Iannucci.
Z.Berisha theksoi se ky vit shënon fillimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në vend. Qeveria gjatë këtij 6 mujori, tha kryeministri, zotohet të kompletojë të gjithë procedurat e shpronësimit dhe në kuadër të ndihmës së qeverisë italiane të fillojë në gjysmën e dytë të vitit punimet në segmentin tjetër të këtij Korridori, Fier-Vlorë. Gjatë këtyre muajve do të organizohet Konferenca e donatorëve nga Banka Botërore për rrugën Kukës-Morinë, do të bëhet tenderimi i segmentit të saj Milot-Rrëshën, do të kompletohet projekti për tunelin në zonën Kalimash-Morinë dhe falë Kooperacionit Italian e ndihmës së qeverisë italiane edhe segmenti tjetër Shkodër-Hani i Honit. Qeveria, u zotua z.Berisha, mbetet e angazhuar për të bërë çdo përpjekje në mënyrë që infrastruktura, rrugët, ujësjellësat, telekomunikacioni, furnizimi me energji të ndryshojnë me shpejtësi. Ndërsa ambasadori Iannucci shprehu vlerësimet për vëmendjen që qeveria shqiptare tregon ndaj inisiativave italiane në Shqipëri. Dialogu i ambasadës dhe qeverisë italiane, tha ai, është i lehtë, sepse marrëdhëniet janë gjithnjë të qarta, të ndershme, konstruktive dhe profesionale. Qeveria italiane do të vazhdojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe ambasada është e imenjuar në këtë drejtim.
* * *
Z.Berisha përshëndet qytetarët e Divjakës për 11 vjetorin e krijimit të bashkisë së qytetit
Gjatë vizitës në Lushnje, kryeministri Berisha u ndal në Divjakë për t'i uruar qytetarëve të saj 11 vjetorin e krijimit të bashkisë së qytetit. Z.Berisha siguroi autoritetet vendore dhe qytetarët se qeveria dhe ministritë përkatëse po punojnë që plazhi i Divjakës të jetë një nga plazhet më të mbrojtura, pylli i njohur i saj, një nga pyjet më të mira e të ruajtura, laguna një nga më të çmuarat e bregut të Adriatikut, të jenë tërësisht pasuri e qytetarëve të Divjakës dhe për ta shndërruar Divjakën në një nga qendrat e zhvilluara turistike të vendit. Qeveria, tha z.Berisha, është e angazhuar të thellojë çdo ditë e më shumë karakterin e shërbimit e të shërbesave të qeverisjes së 3 korrikut. Do të bëjmë çdo përpjekje që taksat që ju i paguani shtetit t'ju rikthehen me ndershmëri në rrugë, në shkolla, në ujësjellësa, në plazhe, në energji elektrike, në shërbime të mira shëndetësore dhe në të gjitha ato që ju meritoni si qytetarë të denjë të Shqipërisë dhe Europës. Gjatë kësaj vizite, z.Berisha përuroi dhe fillimin e punimeve të një segmenti rrugor, pjesë e unazës së qytetit, një investim me vlerë 400 mijë euro.