E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Sa rriten pagat e administratës



ADI SHKEMBI

Qeveria miraton rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e administratës. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha tha para mediave se kjo rritje do të jetë nga 4 për qind deri në 11 për qind, ndërkohë që për herë të parë rrogat e larta nuk do të rriten. Në këtë mënyrë, Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, ministrat, deputetët dhe disa funksionarë të tjerë të lartë nuk do të përfitojnë rritje rroge, megjithëse Ministria e Financave kishte propozuar një rritje prej 2.5 për qind. Duke folur në pjesën e parë të mbledhjes së Qeverisë, Berisha tha se "rrogat e mjekëve do të rriten me 11 për qind; rrogat e infermierëve me 9 për qind; rrogat e mësuesve do të rriten me 6 për qind. Forcat e Armatosura, nëpunësit e Prefekturave, nëpunësit e institucioneve në varësi të ministrive, policia e mbrojtjes nga zjarri, Shërbimit Informativ, sistemit doganor, nëpunësit në drejtoritë e Shërbimit Pyjor, nëpunësit e sistemit tatimor, Policia e Shtetit do të kenë një rritje nga 4 deri në 5.2 për qind. Rrogat e ulëta do të rriten me 10 për qind dhe nuk do të rriten kësaj radhe asnjë nga rrogat e larta". Sipas tij kjo rritje e pagave dhe pensioneve vjen në një moment kur shumë vende i kanë pezulluar rritjen dhe disa të tjera kanë ulur bonuset e ndryshme që përfitonin punonjësit. "Të ardhurat e realizuara këtë gjashtëmujor prej 151 miliardë lekë bëjnë plotësisht të mundur rritjen e rrogave të administratës, mbi bazën e këtyre të ardhurave dhe pa asnjë ndikim mbi borxhin dhe rritjen e tij. Rritja e rrogave ka të bëjë para së gjithash dhe mbi të gjitha me investimin në burimet njerëzore", u shpreh më tej kreu i ekzekutivit.
Shkurtimet në buxhet
Në të njëjtën kohë, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, e dyta brenda dy ditëve, u miratuan ndryshimet në buxhetin e shtetit ku u shkurtuan me rreth 25% për qind shpenzimet e të gjitha dikastereve. "Jemi mbledhur sot për të miratuar buxhetin e ri ose më saktë shkurtimet e mëdha të shpenzimet në buxhetin e këtij viti, shkurtime të cilat diktohen nga vendimi ynë i prerë për të ulur deficitin buxhetor dhe për të mos lejuar rritjen e borxhit. Ky vendim bëhet i domosdoshëm, jo se Qeveria nuk mund të marrë borxh, janë të shumtë dhe të panumërt ata që do të donin t'i jepnin borxh Qeverisë, por se borxhi publik përbën një shpatë Demokleu mbi sektorin privat", tha më tej kreu i Qeverisë. Për të mbrojtur këtë vendim, Berisha tha se një vendim të ngjashëm ditët e fundit e ka marrë edhe Qeveria italiane, gjermane dhe britanike. "Dhe, siç mund të keni konstatuar, të gjitha Qeveritë po bëjnë shkurtime shumë të mëdha. Qeveria gjermane shkurtoi dje 80 miliardë euro shpenzimet. Silvio Berluskoni paketën e shkurtimeve e shndërroi në votëbesim, në një akt të madh kurajoz. Ju jeni dëshmitarë se David Cameron shkurtoi me 75 për qind të gjitha bonuset që merrte administrata, bllokoi tërësisht rrogat e larta dhe po bën shkurtime të mëdha shpenzimesh", theksoi kreu i ekzekutivit.

Rritja e pagave

Rritje 11 për qind
• Mjekët

Rritje 10 për qind
• Rrogat e ulëta

Rritje 9 për qind
• Infermierët

Rritje 6 për qind
• Mësuesit

Rritje 4-5.2 për qind
• Forcat e Armatosura
• Nëpunësit e Prefekturave
• Nëpunësit e institucioneve në varësi të ministrive
• Policia e mbrojtjes nga zjarri
• Shërbimit Informativ
• Sistemit doganor
• Nëpunësit në drejtoritë e Shërbimit Pyjor
• Nëpunësit e sistemit tatimor
• Policia e Shtetit

Nuk përfitojnë rritje
• Rrogat e larta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›