PS: Korrupsion në naftë, Prifti: Jeni si Hugo Çavez
Erald Kapri
Maxhoranca dhe opozita debatuan ashpër dje në Kuvend për sektorin e naftës në vend. Në një debat për rreth 3 orë, deputetët e opozitës kërkuan shpjegime nga ministrat e Qeverisë për shfrytëzimin e burimeve natyrore, por edhe për kompaninë shtetërore Albpetrol. Shkak i këtij debati ishte një Akt Normativ, i cili lejon kompaninë Albpetrol që të shesë naftën në bursat ndërkombëtare. Por deputetët e opozitës deklaruan se kompania Albpetrol ndodhet në krizë financiare, e zhytur në borxhe dhe për më tepër nuk ka paguar pagat për punonjësit e saj për tri muaj. Deputetët e PS-së së qarkut të Fierit akuzuan Qeverisë se po heq nga puna masivisht qytetarë në këtë kompani për t'i zëvendësuar me militantë partie.
Në përgjigje ndaj këtyre sulmeve të opozitës, ministrat Dritan Prifti dhe Sokol Olldashi iu përgjigjën akuzave të opozitës. Prifti tha se, Akti Normativ i lejon Albpetrolit të drejtën të shesë naftën me çmime burse, duke qenë se vetë nafta është një produkt që në gjithë botën shitet me çmime burse. Sipas tij, kjo e drejtë i duhej dhënë me kohë kompanisë Albeptrol, kompani që gjatë tre-katër muajve të fundit nuk ka mundur të shesë dot naftën e nxjerrë, pasi ligji deri tani i njihte të drejtën që këtë naftë t'ia shesë vetëm ARMO-s, e cila në muajt e fundit nuk ka mundur ta blejë dot për probleme të investimeve në teknologji. "Janë rreth 60 mijë tonë naftë sot në depozitat e Albeptrolit. Kaq është kapaciteti maksimal i depozitave, nuk kemi mundësi depozitimi më të madhe. Na duhet të sheshim mallin, të paguajmë punonjësit, të paguajmë detyrimet ndaj buxhetit të shtetit dhe detyrime të tjera ndaj palëve të tjera", tha Prifti. Por deputetët e opozitës vijuan akuzat, ndërsa Prifti i akuzoi ata se kanë ende një mentalitet komunist dhe se i ngjajnë Hugo çavesit, Presidentit të Venezuelës. Deputetët e majtë thanë më tej se janë shkarkuar politikisht mijëra punonjës të sektorit të naftës. "Vetëm në vitin 2009 janë shkarkuar më shumë se 1 300 persona nga sektori i naftës. Në vitin 2009 u punësuan qindra vetë, në këmbim të votës, por më pas ata u hodhën në rrugë nga Qeveria. Punonjësit kanë më shumë se 3 muaj që nuk marrin pagat", tha Armando Subashi, deputeti i PS-së. Por në kundërpërgjigje ndaj tyre erdhi ministri i Transporteve Sokol Olldashi,i cili tha se Qeveria po tenton të modernizojë sektorin e naftës. Një tjetër debat u shënua edhe mes Kryeministrit Sali Berisha e nënkryetarit të grupit socialist Erjon Braçe. Deputeti socialist akuzoi Qeverinë për privatizimin e ARMO-s, pasi sipas tij, kjo kompani i ka borxh 60 milionë euro Albpetrolit, të cilat nuk i ka paguar ende. Ai lëshoi akuza edhe për shfrytëzimin e burimeve natyrore, duke hedhur akuza ndaj tri kompanive të huaja që operojnë në Shqipëri. Nga ana e tij, Berisha tha se privatizimi i ARMO-s ishte i suksesshëm. "Qeveria juaj socialiste e privatizoi ARMO-n me 13 milionë euro dhe dështoi. Ne e privatizuam 10 herë më shumë dhe po ecën me sukses", deklaroi Berisha.
Debati në Kuvend
Dritan Prifti: Akti normativ është thjesht shpejtësi që ne duhet të sheshim mallin. Janë rreth 60 mijë tonë naftë sot në depozitat e Albeptrolit. Kaq është kapaciteti maksimal i depozitave, nuk kemi mundësi depozitimi më të madhe. Albeptroli, duke qenë se tregton një mall me çmime burse, duhet të kishte pasur prej kohësh lirinë për ta shitur mallin e vet me çmimet e bursës ndërkombëtare.
Armando Subashi:Vetëm në vitin 2009 janë shkarkuar më shumë se 1 300 persona nga sektori i naftës. Në vitin 2009 u punësuan qindra vetë, në këmbim të votës por më pas ata u hodhën në rrugë nga Qeveria. Punonjësit kanë më shumë se 3 muaj që nuk marrin pagat.
Sokol Olldashi:Nuk po e kuptojmë, kemi rekrutuar apo spastruar nga puna. Nëse flisni për spastrim besoj se e mbani mend që Qeveria socialiste largoi nga puna më shumë se 3 500 punonjës të Albpetrolit brenda një dite. Ky ishte spastrim. Besoj se e mbani mend se këtu kemi qenë, në Parlament. Ju po akuzoni pa baza. A mund të pyesni veten se kush dëmtohet më shumë nga ky akt normativ? është Taçi Oil apo jo.
Erjon Braçe: Albpetrol ndodhet në situatë të vështirë financiare ndërsa punonjësit nuk kanë marrë pagat për shkak të kësaj situate. ARMO ka sot një borxh kolosal, gati 60 mln usd kompanisë Albpetrol. Unë nuk e kuptoj si ka deputetë në këtë sallë që të mbështesin privatizimin e ARMO-s. Aktiviteti i kërkimit të naftës vijon të mbetet monopol i fortë dhe tejet abuziv.
Sali Berisha: Nuk bëhet kështu, se kështu i largoheni pushtetit me kilometra. Ua them unë ju, doni t'i kallni datën biznesit? Jo more zotëri, nuk i kallet data biznesit në këtë mënyrë. Ju jeni opozitë, ju jeni për të qëndruar kundër arbitraritetit të autoriteteve ndaj biznesit, po jo për të sulmuar biznesin me aksionet e tij. Sa e privatizuat ju ARMO-n, 13 mln mund të shtojë. 130 milionë u privatizua, kur sot...more zotëri....sot janë me qindra industri në botë që kanë falimentuar, dhe ajo nuk ka falimentuar, po funksionon.Lërini ato të bëjnë biznesin, politikën e bëni me ne. Ja ku jam unë, më keni të pranishëm sa herë të doni, ministrat janë këtu. Bëni politikë me ne, jo me biznesin.