Gjermanët duan “ta vrasin” Zapatero e merr në mbrojtje
Tifozët gjermanë, të zhgënjyer me fitoren e Spanjës ndaj Gjermanisë janë "kapur" me oktapodin Pol. Madje disa nga tifozët kanë nisur të vendosin receta në internet me Polin si përbërës. Ata e kërkojnë oktapodin në sallata dhe në specialitete të tjera, kjo vetëm për fajin se ai me telepatinë e tij parashikoi humbjen e Gjermanisë. Ndërkohë pas gjithë kësaj Kryeministri i Spanjës ka ironizuar kur ka thënë se do ta merrte ai në mbrojtje. "Jam i shqetësuar për oktapodin dhe mendoj të dërgoj një skuadër për ta mbrojtur pasi ka qenë vërtet spektakolar në këtë Botëror", thekson kreu i ekzekutivit Zapatero. Deri në fund të Botërorit, Poli do vazhdojë të bëjë parashikimet dhe kjo do të thotë se të paktën deri të dielën në darkë ai do ta ketë vendin në akuariumin e tij dhe jo në ndonjë pjatë të shtrenjtë restoranti. Faktikisht oktapodi do të parashikojë të premten edhe ndeshjen për vend të tretë mes Gjermanisë dhe Uruguait, ndeshje kjo që zhvillohet të shtunën. Kujdestarët e Paulit do të bëjnë rutinën e zakonshme. Dy kuti të mbuluara me ushqim të shijshëm dhe me flamuj të skuadrave kundërshtare, do të vendosen në akuariumin ku gjendet oktapodi telepatik, në Oberhausen të Gjermanisë. Dhe, pas cilës kuti ai shkon, ajo skuadër edhe mendohet se do të fitojë. Oktapodit telepatik do t'i ofrohen edhe dy kuti me flamujt e Spanjës dhe Holandës, për të parashikuar finalen e së dielës.