E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rrëzon Çomon, LSI voton kundër PD-së



Erald Kapri

Kuvendi rrëzoi dje kandidaturën e Sokol çomos për në Gjykatën e Lartë të propozuar nga Presidenti Topi, por maxhoranca shfaqi qëndrime të kundërta. Deputetët e LSI-së, ndryshe nga Partia Demokratike, votuan pro kandidaturës së Sokol çomos. Zëvendës-kryeministri njëherësh Ministri i Jashtëm Ilir Meta, Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, nënkryetari i Kuvendit Nasip Naço, e deputeti Lefter Koka dhanë votën e tyre pro kësaj kandidature. Vlen të theksohet se kjo është vota e parë ndryshe në Kuvend e LSI-së që prej 1 viti në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike. Por LSI nuk ishte e vetme në këtë qëndrim pasi edhe deputeti i PD-së Paulin Skerkaj votoi abstenim. Edhe dy deputetët e Partisë Drejtësi me Unitetet Shpëtim Idrizi e Dashamir Tahiri dhanë votën e tyre abstenim.
Votimi nominal
Maxhoranca votoi e vetme dy dekretet e Presidentit Topi për anëtarë në Gjykatën e Lartë, atë të Medi Bicit dhe Sokol çomos. Pas fjalës së deputetit Fatmir Xhafaj, opozita u largua nga salla, e më pas 71 deputetët e opozitës vijuan procedurën e votimit nominal. Ky votim u zhvillua për herë të parë në historinë e Kuvendit, pasi çdo deputet u detyrua të ngrihet në këmbë dhe të thotë votën e tij, pro ose kundër. Në rastin e kandidaturës së Medi Bicit, të 71 deputetët e maxhorancës shqiptuan fjalën pro, mes tyre edhe deputetët e PDU-së si dhe të LSI-së. Kështu, Bici nuk mori asnjë votë kundër. Por në votimin e kandidaturës së Sokol çomos, ndryshuan numrat. Të katër deputetët e LSI-së i thanë pro kësaj kandidature, ndërsa 3 deputetë të tjerë shqiptuan fjalën abstenim. Ata ishin dy deputetët e PDU-së Idrizi e Tahiri, por edhe deputeti i PD-së Paulin Skerkaj. Më pas 64 deputetët e tjerë PD thanë kundër kandidaturës së çomos, duke e rrëzuar poshtë atë. Kandidatura e çomos u cilësua si politike dhe e njëanshme nga PD-ja, pasi ai në të kaluarën ka qenë zëvendësministër drejtësie në kohën e qeverisjes socialiste. Ky rrëzim i dekretit nuk është hera e parë që ndodh në këtë Kuvend, si dhe në raportet mes maxhorancës e Presidentit Topi. Në vitin 2008, maxhoranca rrëzoi të 5 kandidaturat e kreut të shtetit për në Gjykatën e Lartë. Vetëm para dy muajsh, maxhoranca rrëzoi edhe kandidaturën e Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese, duke miratuar vetëm dy kandidatë. Në seancën e djeshme, krahas mungesës së opozitës në votimin e dekreteve, munguan edhe disa deputetë të maxhorancës. Ministrja Majlinda Bregu, si dhe deputetët Aldo Bumçi, Lefter Maliqi e Gazmend Oketa mungonin dje në sallën e Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›