Leonard Demi: Ligj të ri për SHISH-in
Kryetari i Komisionit të sigurisë Kombëtare Leonard Demi tha dje në Kuvend se po përgatitet një projektligj i ri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ai tha se bashkë me një ekspert të huaj të OSBE-së, po merret ekspertizë e përshtatshme për të riformuluar ligjin ekzistues. Sipas kreut të Komisionit të Sigurisë, ky projektligj do të vendosë në një marrëdhënie të re Kuvendin e Shqipërisë me Shërbimin Informativ Shtetëror. Në këtë mënyrë, tha ai, do të ketë një mbikëqyrje nga Kuvendi për mjaft çështje të Shërbimit Informativ Shtetëror që nga puna e tij e deri tek shpenzimi i fondeve që bën SHISH. "Bashkë me një ekspert të OSBE-së ne po përgatisim projektligjin dhe ftojmë të gjithë deputetët që të vijnë në Komisionin e Sigurisë të japin mendimet e tyre", tha Demi. Sipas tij, Kuvendi ka një rol thelbësor në marrëdhëniet me Shërbimin Informativ Shtetëror. Ky projektligj vjen pas pezullimit të projektligjit të parë, i cili vendoste praktika të reja në punën e SHISH si dhe përcaktonte një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhje të kreut të SHISH.