E Diel, 1 Nëntor 2026

Indeksi për investimet, Shqipëria mbi mesataren e 87 vendeve të botës



Raporti "Investimi përtej kufijve 2010" e rendit Shqipërinë si një nga vendet me lehtësitë më të mëdha procedurale por edhe me një seri paqartësish ligjore. Studimi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Bankës Botërore jep një panoramë të qartë të treguesve që shoqërojnë investimet direkte në 87 vende të botës. Kryeministri Berisha përshëndeti dje raportin mbi investimet. Ai theksoi se analiza që i bëhet klimës së investimeve të huaja në këto 87 vende, Shqipëria rezulton me 95 për qind për investimet në mbarë sektorët, duke tejkaluar me 5 për qind vendet e OECD-së, vendet e zhvilluara, dhe me 2 për qind vendet e rajonit.
Shqipëria
Raporti "Investimi përtej kufijve" bën vlerësimin e vendeve të ndryshme në disa aspekte duke dhënë edhe treguesit që e shoqërojnë. Sa i përket hapësirave që ju lejohen investitorëve për të investuar në sektorë të ndryshëm raporti thekson se atyre ju garantohen të drejta të barabarta në pronësinë e kompanive lokale. Nga 33 sektorë që mbulon raporti 30 të tillë janë plotësisht të disponueshëm për pronësi të huaj. Kategoria e dytë që merret në vlerësim lidhet me fillimin e një biznesi në pronësi të huaj. "Numri i ditëve për të filluar një biznes në Shqipëri është 7 ditë dhe po kaq ditë duhen edhe për të nisur një biznes me pronësi të huaj. Indeksi i lehtësisë së fillimit të një biznesi është në nivelin 84.2 për qind nga 100 për qind që është totalja e vlerësimit. Kjo vlerë është më e lartë se mesatarja rajonale që shënon 76.8 për qind apo ajo botërore 64.5 për qind. Detaje të tjera që përmend raporti lidhen me regjistrimin e biznesit dhe aksesin në banka për hapjen e llogarive në monedhë të huaj të cilat vlerësohen mjaft pozitive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›