Xhafaj: Proces i montuar, me standarde të dyfishta
Partia Socialiste bojkotoi seancën e djeshme kur do të votoheshin dy kandidaturat për në Gjykatën e Lartë, për shkak se e cilësoi këtë proces si të montuar politikisht dhe me standarde të dyfishta. "Grupi Parlamentar i PS e konsideron këtë një proces të montuar politikisht që jo vetëm nëpërkëmb thellësisht integritetin e kandidaturave të miratuara nga Presidenti i Republikës, por gjithashtu nëpërkëmb edhe integritetin e të gjithë trupës së gjyqtarëve", tha deputeti Fatmir Xhafaj, para largimit nga seanca plenare. Ai tha më tej se maxhoranca e djathtë po vepron me standarde të dyfishta, pasi kohë më parë ka votuar kandidatë me të kaluar të dyshimtë. "Ju flisni për pastërtinë e figurës së kandidatëve në raport me të kaluarën dhe rrëzoni një kandidat që në atë sistem ishte vetëm 25 vjeç ndërsa keni emëruar me votat tuaja ish hetues e gjyqtarë të njohur për proceset e tyre politike duke dhënë edhe dënime me pushkatim. Ju flisni për kandidatura me beckgraund politik, ndërkohë që ju keni emëruar apo dhënë pëlqimin për individë në sistemin e drejtësisë që s'kanë pasur asnjë vlerë tjetër veç karrierës politike në shërbim të partisë tuaj", tha më tej Xhafa.