Berisha: Samiti i Salzburgut riafirmoi qëndrimin se e ardhmja e Ballkanit është në Evropë
Prononcim i Kryeministrit për media:
Pas mesazhit të presidentit Barroso me 18 shkurt në Tiranë, një tjetër mesazh shprese, besimi, të ardhmeje vjen nga deklarata e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit perëndimor nga Salzburgu. Kjo deklaratë riafirmon dhe një herë ftesën, platformën e samitit të Selanikut 2003 të Bashkimit Europian në të cilën shprehet qartë se Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Ballkanin. Në Salzburg Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian riafirmuan qëndrimin e tyre mbi këtë çështje themelore për Ballkanin, sipas deklaratës "E ardhmja e vendeve të Ballkanit perëndimor qëndron në Bashkimin Europian". Ky mesazh i madh e shëndërron dhë një herë për Shqipërinë Marrëveshjen e Stabilizim Associimit në hartën e rrugës për anëtarësimin. Deklarata thekson se progresi drejt Bashkimit Europian të secilit vend të veçantë do të bazohet në meritën e tij për të plotësuar kërkesat, kriteret e standarteve të Kopenhagenit dhe për të zbatuar Marrëveshjen Stabilizim Associimit. Në këtë kontekst, sërish alfa dhe omega e të gjithë veprimtarisë së qeverisë dhe institucioneve shqiptare do të jenë reformat, reformat dhe vetëm reformat. Në takimin e Salsburgut nga vendet e Ballkanit, të cilat vlerësohen se kanë bërë progres real, kërkohet të bashkëpunojnë njëra me tjetrën, të zhvillojnë tregtinë e lirë, të konsolidojnë institucionet dhe të luftojnë me zero tolerancë krimin e organizuar. Kam kënaqësinë të them, se këto janë dhe ndër drejtimet themelore të qeverisë që unë drejtoj. Edhe një herë, dua të përshëndës këtë takim të organizuar nga presidenca austriake, e cila është një promotor i progresit të vendeve të ballkanit perëndimor drejt Bashkimit Europain në tezën se në këtë rast kemi të bëjmë me rikthim të tyre në gjirin e Europës.