Kryeministri Berisha uron kryeministrin e ri të Kosovës,Çeku
Kryeministri i Republikës, z. Sali Berisha, në emër të qeverisë shqiptare, i përcolli të premten z. AgimÇeku urimet më të përzemërta, me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë të kryeministrit të Kosovës. Në mesazhin e tij, kryeministri Berisha shkruan:
"Duke votuar për Ju, Kuvendi i Kosovës vendosi në krye të qeverisë një personalitet me kontribut të cilësuar për lirinë e popullit të Kosovës.
Unë kam bindjen se qeveria e Kosovës, nën drejtimin Tuaj, do të përballojë me përkushtim të madh detyrat madhore për shndërrimin e Kosovës në një vend të lirë të qytetarëve të barabartë para ligjit,pavarësisht nga përkatësia etnike, demokratik dhe të pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe që ecën i sigurtë në rrugën e integrimit në BE dhe NATO.
Më lejoni t'Ju konfirmoj dhe një herë mbështetjen e qeverisë shqiptare për Ju dhe vendosmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët dypalësh si dhe të rajonit".