E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ministrin e Jashtëm të Finlandës Erkki Tuomioja

Kryeministri Sali Berisha priti, të enjten, Ministrin e jashtëm të Finlandës Erkki Tuomioja. Z. Berisha e falënderoi ministrin e jashtëm finlandez për vizitën e tij, duke e vlerësuar atë si shumë të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria e konsideron Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit si një "roadmap" për ëndrrën e Shqipërisë për integrimin në Europë.
Duke bërë një ekspoze të zhvillimeve në vend, kryeministri tha se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të rivendosjes së shtetit ligjor. "Ne filluam menjëherë me zbatimin e vendimeve gjyqësore, shfuqizuam vendimet e qeverisë që binin në kundërshtim me ligjin, synojmë gjithashtu të reformojmë gjyqësorin, në bashkëpunimi me Komisionin e Venecias", vijoi kryeministri.
"Ne luftuam konfliktin e interesit brenda qeverisë, bëmë de-nepotizimin e administratës, shkurtuam shpenzimet administrative, duke shmangur përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë për qëllime personale", u shpreh z. Berisha.
Duke u ndalur në luftën kundër krimit të organizuar, kryeministri Berisha tha se ky është një problem shumë i rëndë, edhe për imazhin e vendit. "Motoja e qeverisë është "zero tolerancë" ndaj tij dhe tashmë kemi rezultate konkrete.
Giithashtu, kryeministri u ndal edhe në nismat në fushën ekonomike të vendit, duke theksuar se qeveria është seriozisht e angazhuar për të përmirësuar klimën për bizneset dhe investimet e huaja. Në këtë drejtim, ai përmendi shkurtimin e kohës së rregjistrimit të bizneseve nga 42 ne 8 dite, punën që po bëhet me kompani ndërkombëtare për zhvillimin e zonës industriale Tiranë-Durrës, si dhe vendimin për uljen e taksave për bizneset. Kryeministri kërkoi ndihmën e z. Tuomioja për të inkurajuar bizneset finlandeze për të investuar në Shqipëri.
Ministri i jashtëm finlandez vlerësoi ekspozenë e z. Berisha duke shtuar se për herë të parë vëren se qeveria shqiptare ka evidentuar problemet reale të vendit duke shmangur vetëkënaqjen me gjendjen. Ai shtoi se dera e Europës është e hapur për çdo vend që plotëson kriteret.
Ai e siguroi kryeministrin për mbështetjen e Finlandës, duke theksuar se tërheqja e investimeve kërkon garantimin e shtetit ligjor, zhvillimin e infrastrukturës dhe stabilitetin e brendshëm. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.
Z. Berisha kërkoi z. Tuomioja t'i përcjellë kryeministrit finlandez ftesën për të vizituar Shqipërinë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›