Kryeministri Berisha pret Zv/drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, ambasadorin Sofer
Kryeministri Sali Berisha priti, të enjten, Zv/drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, ambasadorin z. Mark Sofer, i shoqëruar nga Ambasadorja e Izraelit për Republikën e Shqipërisë, znj. Irit Ben-Abba.
Të dy palët vlerësuan lartë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit dhe u shprehën për forcimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve edhe në fusha të tjera.
Në veçanti, kryeministri Berisha dhe ambasadori Sofer theksuan vendosmërinë e te dy shteteve për të rritur dhe intensifikuar bashkëpunimin me projekte konkrete dhe të rëndësishme ekonomike. Kryeministri Berisha u prezantoi bashkëbiseduesve potencialet e mëdha për investime që Shqipëria ofron për biznesmenët izraelit, në fusha si; infrastrukturat rrugore, sektorin energjitik, bujqësinë, turizmin, etj. Nga ana e tij, Ambsadori Sofer u shpreh se kompani të rëndësishme izraelite kanë shprehur interesin e tyre të madh të investojnë në Shqipëri, në veçanti përsa i përket fushës së teknologjisë së informacionit, "e-government", në fushën e arsimit, infrastrukturë dhe të tjera.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria përkrah paqen në Lindjen e Mesme dhe se liderët e "Hamas" duhet të njohin shtetin e Izraelit dhe të bashkëpunojë për paqe në Lindjen e mesme, e cila do t'i shërbejë interesave të popullit palestinez.
Ambasadori Sofer e falënderoi kryeministrin për përkrahjen që Shqipëria i ka dhënë dhe i jep paqes në Lindjen e Mesme dhe u shpreh se Izraeli e vlerëson lartë qëndrimin që kryeministri Berisha, si një mik i çmuar i Izraelit, ka mbajtur përsa i përket paqes në Lindjen e Mesme.