Topi - Benda, integrimi i Shqipërisë, përparësi e presidencës çeke
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Pallatin e Brigadave me kryetarin e Komisionit për Kushtetutën dhe Çështjet Ligjore të Parlamentit çek, Marek Benda dhe delegacionin që e shoqëronte, ku në qendër të bisedimeve ishte integrimi i vendit. Parlamentari çek konfirmoi se presidenca çeke ka prioritet zgjerimin e BE-së, duke mirëpritur Shqipërinë në BE. “Përparësia e presidencës çeke të radhës është pikërisht përmbushja e synimit të zgjerimit dhe integrimit të vendeve të reja, gjithmonë pasi të jenë plotësuar të gjitha standardet e kërkuara, standarde, për të cilat vendi ynë është në rrugën e mbarë të përmbushjes me sukses”, - tha parlamentari çek, Benda. Nga ana e tij, Presidenti i shprehu bindjen në vullnetin dhe angazhimin e klasës politike shqiptare për realizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, si një garanci më shumë për të ardhmen e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. “Ne jemi të bindur, - u shpreh Presidenti Topi, - se integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është një sfidë, që ne do ta përmbushim me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë për të siguruar për qytetarët shqiptarë më shumë alternativa dhe mundësi zhvillimi dhe mirëqenieje”. Të dy personalitetet folën edhe për marrëdhëniet dypalëshe si dhe reformat në drejtësi.